Botuesi i gazetës “TemA” Mero Baze, ka reaguar pas komentit të ministrit të Diasporës Pandeli Majko, i cili aludonte se gazetari e ka cilësuar si të preferuar të opozitës.
Baze sqaron se as gazeta “TemA” dhe as ai vetë nuk ka shkruar diçka të tillë përpos citimit ironizues që i është bërë kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi e cila lakonte emrin e Majkos si kryeministër të qeverisë tranzitore.
Ndër të tjera gazetari shkruan:
“As unë, as gazeta Tema, nuk kemi shkruar që Pandeli Majko është i preferuari i opozitës për kryeministër.
Unë e kam perceptuar si tallje të Monika Kryemadhit kur e ka thënë me zë dhe figurë në tv këtë gjë.
Por me sa po shikoj nga reagimi zotit Majko, atij i ka ardhur keq që nuk e kam marrë seriozisht idenë e Monikës.
Kjo më ka ndodhur ngaqë kam marrë seriozisht Majkon. Nuk e përsëris më”, ironizon Mero Baze.
Më herët, Pandeli Majko shkroi: “Një editorial i gazetarit Mero Baze më ka shpallur të “përzgjedhurin” e opozitës për të drejtuar mazhorancën. Padyshim që artikulli nuk është në “ajër” pasi pena e Bazes nuk ngjyen në bojën e imagjinatës. Me një siguri, të cilën e zotëron kur ka informacion ai në shkrimin e tij nënvizon se “Lulëzim Basha do zgjedhje…me një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon…” (!)
Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës.
Roli i “delfinit” është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (siç shkruan Baze) që 30 vjec në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin” tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën.
Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë.
Pena e Meros është e rrallë në gjetjën e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam cfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit.
Në korridoret e politikë shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht!”