Politika “Nuk jam manekin i RaBaVe”, Arben Malaj i bashkohet partisë së Agron...

“Nuk jam manekin i RaBaVe”, Arben Malaj i bashkohet partisë së Agron Dukës

Ish-ministri i Financave në qeverisjen e socialistëve, Arben Malaj duket se ka vendosur t’i japë lamtumirën përfundimisht Partisë Socialiste, pasi tani i është bashkuar një partie në opozitë, Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës. Bashkimi me këtë parti që në koalicion me Partinë Demokratike erdhi menjëherë pasi socialistët vendosën që ta shkarkonin Malajn si anëtar të Këshillit të Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vetë ish-deputeti socialist e ka njoftuar këtë lëvizje të fortë politike, pasi një majtë i “thekur” i bashkohet opozitës së djathtë.

Një angazhim konkret me Partinë Agrare Ambientaliste. E mirëprita ftesën e kolegut të nderuar Agron Duka për të kontribuar si këshilltar strategjik për platformën dhe organizimin e PAA për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Këshillimi i kësaj partie të qendrës së majtë, me strategji të suksesshme, më krijon mundësi reale për të dhënë kontribute pozitive për ta rritur fuqinë elektorale të PAA dhe për ta ofruar PAA në çdo aspekt të vlerave dhe misionit të saj politik me të gjelbërit europian, të cilët vlerësohen sot si grupimi politik me progresistë dhe me influencë të rritur në qeverisjen vendore dhe kombëtare në shume vende të BE-së, por edhe në institucionet e saj politike”, shkruan Malaj në rrjetet sociale.

Malaj duke pozuar me kreun e PAA-së dhe me anëtarët e drejtuesit e kësaj partie

Në një reagim të dytë, Malaj nuk e cilëson këtë lëvizje si një “tradhti” ndaj socialistëve, pasi ai shton se mbetet i tillë dhe nuk ngurron të sulmojë Ramën, Ballën dhe Veliajn. “Mirënjohja ime ndaj socialistëve të thjeshtë do të jetë e përhershme dhe e pakushtëzuar. Por në asnjë rast dhe për asnjë karrige, nuk kam pranuar të jem një manekin në dorë të RaBaVe-llave që i keqpërdoren socialistet e thjeshtë për pushtete abuzive, arrogante dhe të babëzitura. Paralajmërimet e mia publike që prej 2009 thellësisht profesionale për këta të pangopur me pushtet negativ i gjeni sot në realitetin e dhimbshëm shqiptare dhe në përkeqësimin e Shqipërisë në çdo indeks ndërkombëtarë. Heshtja do të më bënte bashkëfajtorë përball vendit tim edhe përballë socialistëve të thjeshtë“, shprehet më tej Malaj.