Nga Astrit Patozi
Presidenti i Republikës duhet falenderuar sinqerisht që na e dha pushim deri të hënën, me gjithë situatën dramatike, që po kalon Shqipëria, pas ngjarjeve politike të fundit. Por problemi qëndron se ne e kemi të pamundur të jetojmë dhe të flemë të pashqetësuar, kur na thuhet se kushtetuta është në rrezik.
Deri tani, gjestit qetësues të Presidentit, që shkoi të hante hurma të papara Elbasani për weekend, i është përgjigjur vetëm Lulzim Basha, i cili ka një javë që ka ikur nga Shqipëria dhe ende nuk ka njoftim se kur do të kthehet. Nuk thotë kot fjala e urtë popullore se “miku i mirë njihet në ditë të vështira”.
Gjithë ne të tjerët jemi duke vrarë mendjen se cila do të jetë zgjidhja vendimtare për shpëtimin e kushtetutës dhe nuk ka burrë nëne që të presë i qetë deri të hënën. Që do të thotë se po na mbeten në fyt hurmat e Elbasanit, sado të buta dhe të shijshme qofshin.
E para, se kemi hallin si do të shkojmë deri tek referendumi, pasi në kushtet kur secili shqiptar ka një kushtetutë të vetën, te cilën e lexon dhe e interpreton si t’i dojë kokrra e qejfit, kemi frikë se e drejta do t’i takojë në fund atij që ka në dorë shkopin e policit.
Por edhe po ta zëmë se e kaluam me sukses pengesën e parë, mbetet problem i madh se cila do të jetë pyetja e referendumit, në mënyrë që populli të marrë realisht fatet e veta në dorë për të shpëtuar një herë e mirë nga përdhuesit e brendshëm dhe nga “palaçot” ndërkombëtarë, që i kanë nxirë jetën për 30 vjet rresht.
Ndaj edhe do të ishte më mirë një fund i tmerrshëm sot, sesa një tmerr pa fund, deri të hënën. Unë për vete jam që tani me Presidentin e Republikës, pa e pritur fare të hënën, i cili thotë se e keqja kryesore për Shqipërinë filloi me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
Mbetet vetëm që të pres dy ditë të tjera thjesht për të parë se si do të formulohet pyetja magjike, që do t’i kthejë Shqipërisë sovranitetin dhe lirinë e munguar, pas kaq e kaq përpjekjesh dhe sakrificash të heronjve dhe dëshmorëve të saj në kohën e demokracisë.