Bota “Nuk ka diktaturë në Venezuelë”, Maduro propozon zgjedhje të parakohshme

“Nuk ka diktaturë në Venezuelë”, Maduro propozon zgjedhje të parakohshme

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, në përpjekje për të përforcuar qeverisjen e tij, ndërkohë që një gjeneral i lartë dezertoi te opozita dhe mijëra njerëz kanë protestuar kundër qeverisë së tij.

Ndërsa presionet e brendshme dhe ndërkombëtare ndaj Maduros për të dhënë dorëheqjen janë shtuar,  një gjeneral i forcave ajrore e kritikoi atë, duke premtuar besnikëri ndaj presidentit të përkohshëm Juan Guaido.

Mbështetja e forcave ushtarake është e rëndësishme për Maduro, ndërkohë që kriza e jashtëzakonshme ekonomike ka nxitur eksodin e miliona njerëzve.

Maduro thotë se është viktimë i një grushti të shtetit të organizuar nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një fjalimi, Maduro tha Asambleja Kushtetuese do të debatojë mbi thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme për parlamentin e Asamblesë Kombëtare, që drejtohet nga opozita.

Guaido ka bërë thirrje për zgjedhje të reja e të drejta presidenciale, pas votimit të dyshimtë që solli fitoren e Maduro vitin e kaluar.

“Kërkoni zgjedhje? Ne do të zhvillojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk ka diktaturë në Venezuelë”, tha Maduro.

Uashingtoni, së bashku me vende të tjera perëndimore, e kanë quajtur Maduron një diktator dhe kanë njohur presidencën e Guaido.