E ndërsa e gjithë bota po përballet me shifrat e frikshme të infektimit dhe humbjes së jetëve për shkak të shpërthimit pandemik të Covid-19, një e keqe e madhe janë edhe dezinformimet që po vijojnë të përhapen aktualisht online, duke përfshirë këtu shumë “fake kura” (kura false) për sëmundjen.
Prof. Dr. Kim M. Drasa tregon për “Dita”, se deri pak ditë më parë, të paktën 7 kompani janë paralajmëruar nga Agjencia Amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) për produktet e tyre false se gjoja trajtojnë Covid-19. Produktet e cituara në këto shkresa paralajmëruese përfshijnë: Çajrat, vajrat thelbësore, Tinkturat, dhe Argjendin koloidal. Nuk janë të pakta edhe rastet e kompanive farmaceutike që po abuzojnë me shitjen e barnave që në të vërtetë nuk ofrojnë ndonjë mbrojtje nga Covid-19.
Sikundër ankthi për coronavirus është përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe vazhdon të rritet, po ashtu edhe lajmet e pavërteta (Fake News) për gjoja kurimin dhe trajtimin e ndërlikimeve të shkaktuara nga virusi po përhapen potencialisht me “shpejtësinë” e dritës, duke shtuar rrezikun për jetën njerëzore. Kjo është arsyeja që nxiti FDA dhe Komisionin Federal të Tregtisë (FTC) në SHBA për të dërguar shkresat paralajmëruese të 7 trusteve (kompanive gjigante), të cilat ishin duke shitur aktualisht produkte “false” për trajtimin e koronavirusit, nën pretendimin se parandalojnë dhe trajtojnë sëmundjen. FDA deklaroi se: “Aktualisht nuk ka vaksina apo ilaçe të aprovuara për të prevenuar, ose trajtuar Covid-19”.
Kompanitë, të cilave ju dërgua kjo shkresë janë: Colloidal Vitality LLC, GuruNanda LLC, Herbal Amy Inc, Quinessence Aromatherapy Ltd, The Jim Bakker Shoë, Vivify Holistic Clinic dhe Xephyr LLC dba N-Ergetics. FDA aprovoi kërkesën drejtuar kompanive ku ju kërkonte që të tregojnë që produktet e tyre, jo vetëm veprojnë ashtu siç thonë, por gjithashtu janë të detyruara, ligjërisht, të theksojnë që produktet e tyre janë shëruese. Kjo shkresë përfshin urdhrin që pretendimet e tyre për cilësinë dhe efektet shëruese të produkteve të jenë të mirëdizenjuara me studime shkencore, të besueshme. Sipas komisionerit të FDA-së,Dr. Stephen M. HahnTrusted Source promovimi dhe shitja e këtyre produkteve false janë një kërcenim i madh për shëndetin publik. Ndaj dhe duhet bërë kujdes maksimal në këtë drejtim.
***
Nga Prof. Dr. Kim M. Drasa
Pretendimet e pavërteta rreth trajtimit të Covid-19
Pretendime e pavërteta shëndetësore që përhapen në internet nuk janë ndonjë gjë e re. Këto mashtrime kanë ekzistuar që kur ka filluar interneti dhe paturpësisht vazhdojnë edhe në këtë situate tragjike për njerëzimin. Timothy Caulfield, një profesor i të drejtës shëndetësore dhe politikës shkencore në Universitetit Alberta në Edmonton, ka dokumentuar dhe diskretituar këto gënjeshtra prej shumë vitesh. Aktualisht profesori është duke trajtuar të gjitha dezinformimet rreth “kurave” për COVID-19, duke shkruar në Tëitter: “Jo, zbardhues ose urinë lope nuk do të mund t’ju ndihmonin. Jo,rregullimi kiropraktit nuk do të mund të “rrisi” sistemin tuaj imunitar. Jo, ju nuk keni nevojë për suplemente prej një natyrupathie. Dhe Jo të fortë gjoja për të rregulluar funksionin imunitar”.
Por, diferenca me Covid-19 është që një pjesë e madhe e njerëzve të shqetësuar që ju ka humbur shpresa se mund të shërohen, mund të bien pre dhe të bëhen të ndjeshëm ndaj këtyre reklamimeve false dhe për këtë arsye i blejnë dhe i përdorin në mënyrë të gabuar. Po ashtu edhe pretendime të tilla, si: ha sa më shumë hudhra dhe do të mbash larg virusin janë të pavërteta. Këto mendime nuk duhet t’ju mbajnë larg këshillave të vërteta mjekësore .
Kujdes edhe nga lajmi se “suplementet minerale të mrekullueshme” ato që përmbajnë chlorine dioxide, që është një agjent zbardhues shumë i fuqishëm, i cili mund të shkaktojë efekte anësore serioze siç janë të vjella dhe diarre agresive.
Edhe disa kurime të bëra në shtëpi për të mjekuar Covid-19 mund të jenë edhe vdekjeprurëse. “The Daily Mail” ka raportuar se 44 njerëz vdiqën në Iran prej helmimit nga alkooli mbasi kishin pirë me shishe, jo me gota, se kishin menduar se po të pinin alkool me shumicë do të ngadalësonin përhapjen, madje mund të ngordhnin viruset nëse ishin futur në trupin e tyre.
Këshilla të sigurta janë larja shpesh e duarve, evitoni kontakte shumë të afërta me njerëz të cilët janë të sëmurë, patjetër edhe me ata që mund të përballeni pa dashje, ballë për ballë, në rruge ose në supermarket. Pastroni dhe dezinfektoni shpesh pjesët e prekura. Dr. Scott C. Ratzan, lektor i dallueshëm, thotë: Ne duhet të njohim rolin e qeverisë në mbrojtjen e popullit nga mashtrime shëndetësore, nëse ato janë “kurime të rreme” për coronavirusin e ri.
Transmetimi i Covid-19
Kundrejt faktit se personat asimptomatikë janë një burim potencial infektimi nga Covid-19, duhet patjetër të garantojmë rivlerësimin e dinamikes së transmetimit të shpërthimit aktual. Përcaktimi i Covid-19 edhe në një ngarkesë më të lartë virale, në një person edhe mbasi ai është shëruar dhe po rigjeneron veten, ngjall shqetësim, pasi ai mund të rrezikojë edhe të tjerë. Në këta pacientë mbetet të provohet me anë të kulturës virale se a e kanë akoma virusin, në trupin e tyre.
Duhet të dini mire së ekspirimet e frymëmarrjes, teshtitjet dhe kollitjet jo vetëm që përbëhen nga pika mukosalivare (pjese nga pështyma), të cilat ndjekin trajektoren e emetimeve gjysme-balistike të distancës me rreze të shkurtër, por më e rëndësishmja, janë bërë kryesisht nga një re e gazit shumë fazor (nga fuqia e ventilatorëve) që ngërthen në ajër ambientin (si në kurthe) dhe mbartin me vete grupe pikash (spërklash), me një vazhdim më të gjatë, në kohë qëndrimi në ajër dhe kjo kohë varet nga madhësia e këtyre pikave (spërklave).
Sipas meje kjo është arsyeja më e shpjegueshme se pse po infektohen kaq shumë mjek të frontit të parë (ballë për ballë me Covid-19). Konkretisht, janë ventilatorët në dhomat e pacientëve, të cilët janë shkaktarët kryesore të infektimit kaq të shumtë, të mjekëve të vijës së parë. Gjithashtu, kjo shpjegon edhe infektimin e infermierëve dhe të personelit shëndetësor që është në dhomën e pritjes, të rasteve të infektuara. Theksoj se personat kur hipin në ashensor mos të hapin asnjëherë ventilatorin se para tyre mund të jetë futur në ashensor një person që mund të jetë infektuar nga Covid-19. Në Wuhan, u konstatua që koncentrimi më i madh i sasisë se koronavirusit u gjet të ishte te objektet e tualetit, si dhe tek dhomat e urgjencës ku qëndronin personat e infektuar.
Mikrobiota (flora intestinale) në zorrët tona ka shume rëndësi për forcimin e sistemit imunitar. Pra sa me natyral ta keni aq më të mbrojtur jeni nga viruset në përgjithësi por edhe nga Covid-19.
Në Alessandro Manzoni Hospital në Leçe në Itali u zbulua që Covid-19 mund të eksperimentojë edhe manifestime në lëkurë. Konkretisht, rreth 44 për qind e këtyre rasteve që shfaqin manifestime në lëkurë fillojnë me shpërthime të puçrrave ose njollave, skuqje të lëkurës, urtikarie (teptisje-eruption) si fillim i simptomave të infektimit, ndërsa pjesa tjetër (56 për qind) e pacienteve që preken nga koronavirusi, ju ndodhi të shfaqnin shenjat në lëkurë pas shtrimit në spital.
Rreziku i përhapjes së shpejtë të Covid-19
Covid-19 ka një të keqe të madhe se paraqet infektim më të fuqishëm në krahasim me SARS dhe MERS, por ka më pak virulencë në termat e morbiditetit (sëmundshmërisë) dhe mortalitetit (vdekjes). Pra një person i infektuar me Covid-19 infekton në një njësi kohe, më shumë persona sesa SARS dhe MERS, por shkallen e vdekshmërisë e ka më të ulur sesa SARS dhe MERS dhe këtë e tregon dhe statistika në vazhdim.
Aktualisht, të dhënat që kemi në përdorim, sugjerojnë që Covid-19 ka një mortalitet 3.4 për qind, ndërsa shkalla e vdekjeve e SARS ishte 9.6 për qind, dhe ajo e MERS ishte afërsisht 35 për qind, pra shumë më e lartë se Covid-19. Ky koronavirus është i tipit RNA VIRUS, që në termat e patogjenezës SARS-COV-2 lidhet me angiotensin-converting enzyme 2, e cila gjendet në traktin më të poshtëm respirator, të njeriut, me një afinitet të lartë virus-receptor drejt infeksionit. Infeksioni përhapet fillimisht nëpërmjet sistemit respirator nëpërmjet spërklave, sekrecioneve nga hunda dhe goja si dhe kontakti direkt. Gjithashtu, grimca virusi SARS-COV-2 janë gjetur në gjak dhe ne fekale dhe kjo tregon mundësinë e ekzistencës të “rrugëve” të tjera transmetimi, brenda trupit njeriut
Sigurimi i informimit të duhur rreth koronavirusit
Në këto kohë të vështirë që po kalojmë të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm në marrjen e informacioneve të duhura dhe të sigurta rreth virusit, si dhe masave se si mund të kujdesemi për të. Njerëzimi qëndron i informuar me informimet e vazhdueshme rreth shpërthimit aktual të Covid-19. Për të marrë informacionet e duhura duhet t’u referoheni strukturave zyrtare të besuara të shëndetit, dhe jo të lexoni gjithçka që mund të servirë interneti. Email-et, nga Organizatat Botërore e Shëndetit, apo edhe nga organet zyrtare mjekësore të çdo vendi janë burime të besueshme. Këto informacione të besueshme,duhet të arrijnë tek çdo njeri, duke përfshirë edhe njerëzit që nuk janë të arritshëm nga online sepse janë të varfër.
Çfarë duhet të dimë!
Në bazë të vlerësimeve të bëra nga shkencëtarët rreth këtij virusi dhe historisë 2 mijë vjeçare të shfaqjes së viruseve, duhet të dimë se Covid-19 hyn në trupin tonë nëpërmjet tre “kanaleve”: kanalit të lotit, hundës, si dhe gojës. Pra, mbuloni sa më mirë këto 3 pjesë dhe do të jeni më të mbrojtur. Si për çdo virus edhe për COVID-19 nuk ka mjekim për të na shëruar përfundimisht.
Covid-19 si gjithë viruset që populli i quan “GRIP”, janë vetëm mjekimi i simptomave, pra: ke temperaturë merr ilaç për ta ulur atë, ke kollë përdor një ilaç për ta qetësuar, për dhimbje trupi merr ilaç kundra saj të grupit NSADs (p.sh. Paracetomol), etj. Pra vetëm e vetëm mjekohen simptomat. Ilaçet e tjera siç thonë ato antimalarik, antiviral, etj mund të ndihmojnë vetëm një numër të kufizuar njerëzish. Pra jo te gjithë. Si çdo virus deri me sot, edhe Covid-19 do zbehet sapo të ngrohet koha.
Mos u gënjeni se do zbulohet vaksina pa kaluar minimumi 1 vit se edhe kjo do kohën e vet, ashtu si nuk mund të ndërtohet një pallat brenda javës, pasi sado njerëz të kesh sepse nuk të lejon procedura e betonit që po ashtu do kohën e vet të bëhet i fortë. Njerëzimit i mbetet vetëm një zgjidhje, të ruhet që të mos lejojë Covid-19 të futet ne trupin e tij.
MASAT QË DUHET TË MERRNI:
1- Mos dilni pa syze, maska, doreza dhe kur të ktheheni në shtëpi zbatoni radhën e veprimeve: hiqni syzet, dorezat, maskën, veshjen e sipërme, të cilën duhet ta nxirrni në ballkon.
2- Kujdes me qeset plastike dhe sipërfaqet metalike se në këto virusi jeton deri në 3 ditë.
3- Pastaj lani duart, veçanërisht edhe midis gishtave.
4- Dezinfektoni ambientin ku do gatuani.
5- Para përdorimit lani çdo gjë që do të konsumoni.
6- Përpuqni të gatuani dhe zieni mirë ushqimet.
7- Mos u dorëzoni se edhe disa ditë dhe sa të ngrohet koha (30 gradë C) Covid do të bjerë sikundër ndodh me të gjitha viruset.
8- Dëgjoni muzikën që ju pëlqen.
9- Lajmet dhe emisionet i shikoni sa më pak që të shmangni stresin që ato mund të sjellin nga informimi i vazhdueshme rreth situatës së përhapjes së koronavirusit.
10- Mos harroni mbajtjen e distancës (2 Metra) se ka edhe persona që janë infektuar, por nuk kane simptoma të dukshme, këta konsiderohen edhe më të rrezikshmit pasi mund të infektojnë shumë persona të tjerë pa e ditur.
11- Mos gaboni të mendoni se personave të shëruar mund t’u rrini karshi pa maska, e pa ruajtur distancën se ata mund të vazhdojnë të nxjerrin viruse.
12- Duhet të dini së një ndër simptomat e para të zakonshme është edhe humbja e nuhatjes edhe e shijes. Mos prisni të fillojë temperatura kolla, vështirësie rënduar në frymëmarrje dhe të kërkoni ndihmë.
13- Covid-19, futet në trupin tonë edhe nga sytë dhe pastaj kalon më poshtë, në kanalin e lotit, nga këtu në hunde, në Faring dhe në fund futet në bronke (Mos prekni sytë me gishta).
14- Personat që mbajnë lente duhet të mos i përdorin, në këtë situatë se janë më të rrezikuar.
15- Covid-19 po transmetohet edhe me nxjerrjen e frymëmarrjes (Ekspirimi), si edhe nëpërmjet të folurit normalisht, ndaj duhet të respektohet distanca dhe të shmangen grumbullimet.
16- Shkencëtaret vërtetuan se ky virus përhapet edhe nëpërmjet ajrit sepse deri disa ditë para thuhej që përhapet nga prekja, kryesisht. Pra përhapet si aerosole (me aje) dhe pra jo-vetëm me spërkla.
17- Në ashensor mos përdorni ventilatorin se jeni më të rrezikuar.
18- Grada e infektimit varet nga sasia e viruseve që futen në trupin e tuaj. Pra sa më shumë viruse futen aq më e rëndë bëhet gjendja shëndetësore te pacientët.
19- Personat e infektuar me COVID-19, si manifestim mund të shfaqin edhe shenja në lëkurë, si skuqje, puçrra, urtikarie.
20- Kujdes me përdorimin e suplementeve pa rekomandim. Sa më shumë të përdorni aq më shume dëmtoni veten sesa i bëni mire.
21- Përdorni larmi mineralesh dhe vitaminash. Jo vetëm një ose dy lloje.
22- Mos harroni për asnjë çast se koronavirusi transmetohet nga duart, goja, hunda ose nga sytë. Nëpërmjet këtyre rrugëve koronavirusit mbërrin deri në mushkëri dhe të bëjë dëmtimin e saj, ndaj duhet të mbani higjienën e rreptë të secilës prej tyre.
34- Ndaj them me bindje se për të luftuar këtë koronavirusin pandemik ne na duhet shkenca dhe jo frika.