Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot që t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve, lidhur me problematikat që ata hasin çdo ditë.
Nga makina duke udhëtuar, Rama u është përgjigjur qytetarëve dhe është shprehur se nuk do të ketë një paketë të tretë ekonomike për të ndihmuar biznesin.
“Nuk kemi parashikuar një paketë të tretë ekonomike, larg qoftë vetëm nëse do na duhet që të bëjmë një mbyllje të dytë. Ki besim se gjërat do të shkojnë mirë dhe më e mirë është ende para nesh”, u shpreh Rama.
Më tej kreu i qeverisë ka folur dhe për heqjen e taksave për biznesin e vogël. Rama tha se vendimi tashmë është ligj në Kuvend dhe do të jetë deri në vitin 2029.
“Vendimi nuk është për fushatë, por është një ligj i miratuar në parlament dhe ka fuqi deri kur ju që fitoni me punë të ndershme do të keni fuqinë që ta mbani në fuqi. Për sa më takon, ai ligj do të qëndrojë në fuqi deri në vitin 2029”, tha Rama.
A do të kemi një karantinë të dytë?
Për kryeministrin Edi Rama nuk do të ketë një mbyllje të dytë si pasojë e Covid-19.
Në përgjigje të disa qytetarëve, kreu i qeverisë i kërkoi atyre që të tregojnë kujdes dhe të bëjnë detyrën duke respektuar masat. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Ramëa, mbyllja do të vijë siç po vjen sërish në disa vende të botës.
“Ju lutem, bëni detyrën tuaj. Ruani distancën, mbani maskën. Ju lutem mos luani me zjarrin. Nëse secili bën detyrën, nuk kemi pse të mbyllemi. Ne do t’ia dalim dhe më e mira është përpara.
Nuk jam unë që ju kam mbyllur herën e parë dhe as nëse do t’ju mbyll larg qoftë. Sot nuk shoh një mbyllje në horizont. Por nëse nuk bëjmë detyrën, kjo do të vijë siç po vjen në disa vende. Prandaj duhet të respektoni masat”, tha Rama.