Politika Gjiknuri i përgjigjet opozitës: Pse modeli italian nuk ka lidhje me Shqipërinë

Gjiknuri i përgjigjet opozitës: Pse modeli italian nuk ka lidhje me Shqipërinë

Anëtari i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i është përgjigjur opozitës lidhur me deklaratat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjiknuri në një postim në mediat sociale shprehet se opozita kërkon që “t’i hedhë hi syve të publikut”.

“Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian”, shprehet Gjiknuri.

Më tej deputeti i PS shkruan se opozita kërkon “të kryejë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati”.

Për sa i përket modelit italian për listat e hapura dhe koalicionet që u prezantua nga Oerd Bylykbashi, Gjiknuri shprehet se ish-deputeti i PD po gabon.

“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura”, thotë Gjiknuri.

“Edhe diçka e fundit, për të mos i bezdisur qytetarët këtë mbrëmje të diele me debate politike. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona”, përfundon Gjiknuri.