Bota Nuk mbarojnë telashet për Boris Johnson, Scotland Yard do ta hetojë

Nuk mbarojnë telashet për Boris Johnson, Scotland Yard do ta hetojë

Mund të jetë pika e kthesës që do të shënojë edhe fatin politik të Boris Johnson. Sepse Scotland Yard njoftoi mëngjesin e së martës se do të hetojë 8 nga 17 festat e dyshuara alkoolike që u zhvilluan në Downing Street gjatë bllokimeve dhe kufizimeve anti-Covid.

Njoftimi i policisë së Londrës është i rëndësishëm pasi për herë të parë ajo ndërhyn në skandalin e javëve të fundit që po cenon fuqishëm lidershipin e kryeministrit. Pra, me pak fjalë, po ndërmerret një veprim konkret nga autoritetet ndaj atyre që kanë shkelur ligjet dhe që do të ndiqen penalisht sipas rregulloreve antikoronavirus në fuqi në atë kohë.

Johnson mund të përfundojë pandehur në këtë hetim dhe pozicioni i tij, – edhe ashtu jashtëzakonisht i pasigurtë, – do të bëhej edhe më i paqëndrueshëm.

Prej të paktën dy javësh, Johnson ka qenë nën furinë e polemikave për shkak të festave alkoolike të zhvilluara gjatë karantinës, në dy prej të cilave ka marrë pjesë personalisht. Madje njëra nga këto festa u thirr nëpërmjet emailit më 20 maj 2020 nga sekretari i tij privat.

Festa e fundit u zbulua dje në mbrëmje: Ajo u mbajt më 19 qershor 2020, si një festë e vogël surprizë në Downing Street për Johnson, që kthehej nga një angazhim në Hertfordshire… Organizuar nga askush tjetër veçse gruas së tij Carrie, me një tortë të veçantë dhe ku merrnin pjesë rreth 30 persona, madje disa të ftuar jashtë stafit të kryeministrit, si stilistja Lulu Lytle. Rregullat në fuqi atë kohë nuk lejonin grumbullimin e më shumë se dy personave në mjedise të mbyllura.

Downing Street në anën tjetër mbrohet: “Kryeministri qëndroi vetëm dhjetë minuta dhe më pas u kthye në punë”.

Por këtë herë kryeministri britanik do ta ketë të vështirë të mbrohet sepse kishte edhe një tortë gati për të.

Twitter është tashmë një stuhi mesazhesh, edhe nga personalitete autoritare pranë kryeministrit, plot indinjatë.

Këtë mëngjes, ministri i Transportit, Grant Shapps, një nga besnikët e Johnson, u distancua qartë nga kreu i qeverisë dhe foli për një “zgjedhje të pamatur” teksa iu referua festës së fundit të publikuar të hënën nga mediat.