Politika “Nuk më han luli për kta!”/ Haradinaj i përgjigjet Ramës: E vërteta...

“Nuk më han luli për kta!”/ Haradinaj i përgjigjet Ramës: E vërteta e takimit me Macron dhe Merkel

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar mbi përplasjet që ka pasur me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, një ditë pas deklaratave të këtij të fundit.

Kreu i AAK-së në një intervistë për RTK-në tha se në Berlin nuk i mbrojti territoret e Kosovës as nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe as nga presidenti francez Emmanuel Macron, por nga vëllai i tij shqiptar.

“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës për hapjen e kufijve të Kosovës, sigurisht që mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im Edi Rama”, tha Haradinaj.

Më herët, kreu i AAK-së konfirmoi bisedën me tone të ashpra që pati me Ramën, sikundër deklaroi dje edhe kreu i ekzekutivit shqiptar. Ramush Haradinaj deklaron se e mbështet nismën për Ballkan të Hapur vetëm pasi Serbia të njohë Kosovës. Haradinaj thotë se ai i ka kërkuar Ramës dhe liderëve të rajonit që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit dhe jo ndaj Kosovës.

Një ditë më parë Rama ngriti pyetjen se a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare duke “i treguar babait arat” kur flet me SHBA dhe BE?

“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”.