Extra “Personat e vaksinuar do të shndërrohen në zombi si në filmin ‘I...

“Personat e vaksinuar do të shndërrohen në zombi si në filmin ‘I Am Legend’”, reagon skenaristi

Një nga skenaristët e filmit thriller-aksion “I Am Legend” ka reaguar pas zërave se vaksinat kundër COVID-19 do t’i shndërrojnë njerëzit në zombi.

Postimet dhe memet që kanë qarkulluar kohët e fundit në internet përmendin skenarin e filmit si një arsye për të mos u vaksinuar kundër Covid.

Filmi i vitit 2007, me protagonist aktorin Will Smith, ka të bëjë me një përpjekje të dështuar për të riprojektuar gjenetikisht virusin e fruthit për të kuruar kancerin, duke vrarë 99% të popullsisë së botës dhe duke lënë Neville, njeriun e fundit të mbijetuar në Nju Jork. Ata që i mbijetojnë infeksionit shndërrohen në krijesa mutante vampire.

Pretendimet se diçka e ngjashme do të ndodhte me personat që marrin vaksinën Covid kanë qarkulluar së fundmi në mediat sociale. Javën e kaluar, gazeta “New York Times” i dedikoi një artikull të tërë lidhur me pretendimet në fjalë. Ajo pohoi se pronari i një dyqani të syzeve në Bronks, Nju Jork, po përpiqej të bindte disa pjesëtarë të stafit të tij për të marrë një vaksinë Covid por ata refuzuan duke përmendur skenarin e filmit.

Por artikullit të gazetës “New York Times” i është përgjigjur vetë bashkë-skenaristi Akiva Goldsman i cili shkruajti në Twitter: “Oh Zot. Është thjesht një film. Unë e kam trilluar atë. Nuk është diçka e vërtetë”.

Por ky nuk është filmi i vetëm i përdorur i cili shpërndan dezinformata rreth Covid dhe vaksinave. Filma të tjerë si “Children of Men” dhe “The Matrix” kanë dekurajuar disa persona të vaksinohen për shkak të skenareve të tyre.