Prokuroria e Tiranës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ajas Sulejmanin, drejtuesin e mjetit që aksidentoi tre anëtarët e një familjeje tek Rruga e Kavajës. Kërkesa është depozituar në gjykatë dhe do të shqyrtohet gjatë ditës së nesërme.
“Në lidhje me aksidentin kam qenë me shpejtësi rreth 40 km në orë. Përpara semaforit sapo u bë i kuq unë kam nisur të frenoj, por nuk më mbajtën frenat”, deklaroi 39-vjeçari që përplasi çiftin me foshnjën e tyre disa ditë më parë në kryeqytet.
“Deklaroj në lidhje me largimin nga vendi i aksidentit deklaroj se nuk kam pasur qëllim të iki, por duke qenë se ishte vajza ime e mitur ishte me mua, u largova. Bashkë me vajzën time 5-vjeçare kam shkuar në spital, pasi vajza ime dhe unë ishim të traumatizuar nga ky aksident”, është shprehur ai para efektivëve të Policisë.
Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e së dielës në rrugën e Kavajës teksa një çift me foshnjën 3-muajshe me karrocë po kalonin në vijat e bardha para një semafori.
Ndërsa automjetet e tjera kishin ndaluar pasi semafori ishte i kuq për automjetet, makina ‘Mercedes Benz G-Class” e drejtuar nga Ajas Sulejmani erdhi me shpejtësi duke marrë përpara çiftin.
39-vjeçari u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua nga policia pak orë më vonë.