Kryesore 16 maji, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit

16 maji, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri, duhet të zhvillohet më datë 16 maj, ora 17:00.

Deklaratën, Balla e bëri këtë të martë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila po zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Sipas Ballës, 16 maji është një datë e përshtatshme brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuta.

“I qëndroj propozimit për të zhvilluar raundin e parë më 16 maj. Mendoj se kjo datë është e përshtatshme dhe brenda këtij afati që ka përcaktuar Kushtetuta”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputetja e PS-së Klotilda Bushka propozoi që afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për president, të jetë data 15 maj, ora 16:00. Propozim tjetër i saj, ishte mbledhja e Komisionit të Ligjeve më 16 maj, ora 10:00.

Konferenca e Kryetarëve duhet të ishte mbledhur më 4 maj, por u shty pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi më shumë kohë për procedurat.