Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmauiër liderët e Bashkimit Europian për kërcënimet bërthamore të bëra nga Vladimir Putin në fjalimin e tij dramatik duke njoftuar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Merkel, në veçanti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i marrë seriozisht fjalët e Putinit dhe të mos i konsiderojë ato si bllof, i cili u fokusua në nevojën për të mbrojtur sovranitetin territorial të Ukrainës, si dhe në veprime të koordinuara.
Duke folur të martën, në hapjen e “Fondacionit Helmut Kohl” (“Bundeskanzler-Helmut-Kohl-Stiftung”), Merkel iu referua, ndër të tjera, luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, por edhe njeriut të fortë të Kremlinit.
“Fjalët e tij duhen marrë seriozisht”, tha ish-kancelarja, duke shtuar: “Të marrësh fjalët seriozisht dhe të mos i hedhësh poshtë si bllof në radhë të parë nuk është aspak një shenjë dobësie apo qetësimi, por një demonstrim inteligjence politike“, e cila “kontribuon në ruajtjen e një kufiri manovrimi ose, të paktën, diçka po aq të rëndësishme, në krijimin e një të reje”.
Merkel iu referua ish-kancelarit gjerman dhe mentorit të saj, Helmut Kohl, si një politikan që zotëronte këtë mprehtësi politike: “Kohl do të bënte gjithçka sot për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës, por në të njëjtën kohë ai do të kishte parasysh se si marrëdhëniet me Rusinë mund të ringjallen në të ardhmen, jo nga lëvizjet e njëanshme të Gjermanisë, por gjithmonë në marrëveshje me të gjithë partnerët në BE dhe NATO”.