Në ndeshjen e fundit në kampionat, sulmuesi argjentinas Paulo Dybala përfundoi në stol, duke mos u aktivizuar asnjë minutë. Kjo ka sjellë pakënaqësi te 25-vjeçari, që duket se është pranë largimit nga bardhezinjtë. Sipas “Don Balon”, Dybala po sheh me kujdes çdo mundësi në merkato dhe admiruesit e sulmuesit nuk mungojnë.
Real Madrid dhe Paris Saint Germain po mendojnë seriozisht për të marrë talentin e Juves, që kërkon të jetë lider në skuadrën ku luan. Por te Juventusi ai është i bllokuar nga Cristiano Rolando e Mario Mandzukic dhe nuk është gjithnjë titullar. Për këtë arsye ai po mendon transferimin dhe fakti që Allegri e ka lënë në stol tregon se nuk është i preferuar.
Problem mund të jetë shuma prej 100 milionë eurosh që Juventusi kërkon për të, çka mund të vërë në dyshime skuadrat që e kërkojnë. Gjithsesi, si Real ashtu dhe PSG nuk e kanë shumë problem këtë shifër. Kjo mund të sjellë një ankand mes skuadrave më të mira në Europë për sulmuesin argjentinas, që do të provojë fatin e tij në një kampionat tjetër.