Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera të fuqishme perëndimore presin nga Serbia që ta njohë Kosovën, por askush nuk garanton madje as integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Çështja është se Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të fuqishme nga perëndimi thonë se po presin nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Por kur pyesim çfarë ofroni, sepse asnjëra palë nuk mund t’i fitojë të gjitha – nuk ka asgjë. Askush nuk mund të garantojë madje as anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Këshilli Atlantik, gjatë të cilit theksoi se nuk pret “kohëra të lehta për Serbinë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden”, duke vënë theksin tek dallimet rreth çështjes së Kosovës.
Serbia i sheh Shtetet e Bashkuara si mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo vazhdon ta kundërshtojë.
Megjithatë, presidenti serb, një ish-ultranacionalist, që pohon të jetë shndërruar në properëndimor, tha se Serbia “ka nevojë për Shtetet e Bashkuara” dhe është vënë në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Ne kishim menduar se jemi qendra e botës dhe shpresoj që e kemi kuptuar situatën politike në botë”, tha ai.
Kosova dhe Serbia pritet që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.