Aktualitet Deklarata e Mziut, reagon Rama: Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë...

Deklarata e Mziut, reagon Rama: Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës shokuese të kandidatit të PD në Dibër Xhelal Mziu, që tha se “kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot dhe në vazhdim çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”.

Pas disa orësh, Mziu kërkoi ndjesë për këtë deklaratë, por Rama thotë se ndjesa e tij nuk ka asnjë vlerë.

Kryeministri shprehet se vendi nuk duhet të kthehet mbrapa në kohë, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të flasin me votë më 25 Prill.

“Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i drejtësisë popullore në 25 prill! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar! Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht! Në 25 Prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre! Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni! Tregojeni me votën tuaj, forcën e madhe të karakterit që Shqipëria kërkon sot prej të gjithë ne, në rrugën drejt majës ku duhet të vazhdojmë të ngjitemi, për ta bërë Shqipërinë zonjën që Zoti deshi, kur i fali bujarisht bukuritë e saj përrallore”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.