Duke folur nga Forumi i Parë Ekonomik, i pranishëm në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama komentoi për herë të parë lajmin e marrë dje nga ministrat e Jashtëm të BE-së që nuk arritën në një dakordësim për të përcaktuar një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.
Rama e ka cilësuar shtyrjen e negociatave si një dështim të Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë tha se do ishte më e ndershme që BE të thoshte ata nuk janë gati për të na pranuar “në familjen e tyre”, sesa të fajësojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mosplotësimin e kushteve.
“Nuk është hera e parë që dështojnë në mosdhënies e mundësisë për Konferencën e Parë. Është pak a shumë si një çështje martese, ku gjithçka e ke bërë në rregull, dhe në fund nusja nuk paraqitet. Ne do vazhdojmë të ecim përpara, të bëjmë punën tonë. Ne ishim gati edhe më parë. Fakti që disa vende më parë deklaronin që Shqipëria nuk është gati, kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ishte gati vërtet, por kjo lidhet me çështjet e brendshme. Pra, nuk ishim gati, kur Holanda kishte çështjen e zgjedhjeve. Unë jam i shqetësuar sa ne bëjmë progres, jo për këtë. Ne nuk po e bëjmë këtë, pasi disa burra shteti në Bruksel na thonë se duhet të ecim përpara”, deklaroi kryeministri.
Rama u shpreh se nuk është aspak pesimist, edhe pse BE mund të dështojë disa herë.
“Ne jemi partner i rëndësishëm ekonomik me Maqedoninë e Veriut. Ne nuk kemi dështuar, ata kanë dështuar. Është shtëpia e tyre, ne duam të hyjmë në këtë shtëpi, ndaj dhe nuk vendosim ne. Ne jemi në Europë, jemi të rrethuar nga kufij evropianë. E vetmja keqardhje që kam është se do ishte më mirë të na thonin se ‘ju duam brenda familjes, por janë disa rregulla, që nuk janë ende gati’, pasi krijohet një situatë pak e çuditshme, pasi qytetarët në Shqipëri i besojnë këta zyrtarë europianë, dhe mendojnë se është politika e brendshme problem”, tha kryeministri Rama.
I pyetur nga një gazetë greke për Ligjin e Luftës dhe Çështjen e Përcaktimit të Kufijve detarë me Greqinë Kryeministri Edi Rama, u shpreh se këto nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën duke garantuar se pavarësisht ndryshimeve që ekzistojnë mes palëve marrëdhëniet greko-shqiptare janë në nivelin e duhur.
“Pikë së pari nuk janë të lidhura me njëra, nuk dua të flas për probleme më shumë dua të fokusohem në zgjidhje. Ne kemi nevojë dhe duhet të jemi në të njëjtin nivel dhe të reflektojmë këtë mënyrë të të kuptuarit të njerëzve të zakonshëm. Sa i përket përcaktimit të kufijve detarë ne kemi vendosur të shkojmë në Gjykatën ndërkombëtare dhe jam shumë i lumtur që Greqia pranoi këtë kërkesë time. Ne jemi popull ballkanik dhe udhëhiqemi nga ndjenjat, prandaj kemi nevojë për një vëzhgues ndërkombëtar. Sa i përket ligjit të luftës, është një paradoks i vërtetë, sepse në bazë të tij ne jemi në Luftë me Greqinë dhe kjo në fakt është absurde. Duhet të hidhet poshtë dhe të heqim dorë nga dashuria dhe urrejtja ballkanike”, tha Rama.