Aktualitet Nxorri në pritë shokun e fëmijërisë, Prokuroria kërkon 30 vite burg për...

Nxorri në pritë shokun e fëmijërisë, Prokuroria kërkon 30 vite burg për Mikel Alian

30 vjet burg kërkon Prokuroria e Lezhës për Mikel Alian, personin që akuzohet se nxorri në pritë Eri Zefin në Tetor të vitit 2019. 42-vjeçari është i vetmi i marrë i pandehur ndërsa besohet se ka bashkëpunuar me familjen me të cilën kishte hasmëri Zefi.

Alia u zbulua nga tabulatet telefonike pasi kishte komunikuar me viktimën mbrëmjen e 1 Tetorit pak orë para se 34-vjecari të gjendej i vdekur në një kanal në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.

Në Shkurt të vitit 2019 vëllai i Eri Zefit, Ndue Zefi vrau në Durrës fqinjin e tij Martin Ndreca pas një konflikti të çastit. Që prej asaj kohe, 34-vjeçari qëndronte i ngujuar në shtëpi pasi i druhej gjakmarrjes. Pjesëtarë të familjes Ndreca besohet se kanë bashkëpunuar me Mikel Alian, shokun e fëmijërisë së Eri Zefit. Ky i fundit i besoi 42-vjeçarit duke dalë nga banesa.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga ekzekutimi i Eri Zefit, policia nuk ka mundur të identifikojë porositësin e vrasjes ndërsa as i pandehuri nuk ka treguar para hetuesve se kë ka ndihmuar.