Kryesore Ndryshimet kushtetuese që propozon PD: Vetting i politikanëve, Reformë Zgjedhore dhe Territoriale

Ndryshimet kushtetuese që propozon PD: Vetting i politikanëve, Reformë Zgjedhore dhe Territoriale

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend paketën e ndryshimeve kushtetuese, ku ndër të tjera kërkohet rikthimi i koalicioneve nëpërmjet Reformës Zgjedhore.

“Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”, propozojnë demokratët.

Nëpërmjet kësaj pakete, PD për Reformën Territoriale kërkon rikthimin e komunave si njësi të qeverisjes vendore.

“Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat, bashkitë dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”, theksohet në paketë.

Ndërsa për Vettingun e politikanëve, PD kërkon që të bëhet përmes SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i konfirmimit në funksion apo moskonfirmimit në funksion merret nga Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK. Në rast se vendoset moskonfirmimi në detyrë, funksionari publik pezullohet nga detyra, derisa vendimi të jetë përfundimtar. Për të siguruar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese, vendimmarrja në procesin e kontrollit të integritetit bëhet sipas një radhë dhe afateve të përcaktuar me ligj, që garantojnë vijimin pa ndërprerje të punës së institucioneve kushtetuese”, thuhet në paketën e propozuar nga selia blu.

Një nga çështjet që pritet të diskutohet mes maxhorancës dhe opozitës është edhe zgjatja e mandatit të organeve të Vettingut përtej 17 qershorit, kur është edhe afati final i funksionimit të tyre.

Partia Socialiste ka bërë disa herë ftesë për ulje në tryezën e dialogut, ndërsa nga Partia Demokratike ende nuk ka një vendim për këtë çështje.