Ndarjet e Amerikës janë “të thella”. Në pjesën e parë të kujtimeve të tij, Barack Obama rrëfen presidencën e tij dhe kujton katër vitet e kaluara, duke theksuar se largimi vetëm i Donald Trump nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ndryshuar situatën.
Në kujtimet e titulluara “Toka e Premtuar”, ish-presidenti kthehet në 2016 dhe në fitoren e papritur të një njeriu “diametralisht të ndryshëm” nga ai.
“Për miliona amerikanë të tmerruar nga një njeri me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump premtoi një eliksir kundër ankthit të tyre racor”.
Ky është interpretimi i Barack Obamës për zgjedhjet presidenciale që çuan në zgjedhjen e Trumpit në 2016.
“Prania ime në Shtëpinë e Bardhë kishte shkaktuar një panik të thellë, ndjenjën se rendi natyror i gjërave ishte përmbysur”, shpjegon ish-presidenti në kujtimet e tij.
“Këtë e kishte kuptuar Trump dhe filloi të ngrinte pretendime se unë nuk kam lindur në Shtetet e Bashkuara dhe si pasojë isha një president i paligjshëm”.
Presidenti i 44 amerikan ankohet për shkeljen sistematike të standardeve dhe refuzimin e fakteve dhe vlerave që republikanët dhe demokratët i morën si të mirëqena.
“Ajo që më shqetëson më shumë është se demokracia jonë duket se është në prag të rënies në krizë”, shkroi ai në një libër të përfunduar para zgjedhjeve të 3 nëntorit që parashikon fitoren e ish-Zv.Presidentit Biden.
“Kjo krizë është ngulitur në një konflikt të dy vizioneve se çfarë është Amerika dhe si duhet të jetë”, vazhdoi ai.
“Një krizë që ka ndarë qytetarët, të zemëruar dhe mosbesues,” shton ai në një fragment.
“Unë e di që një zgjedhje nuk do ta zgjidhë problemin,” theksoi ai. “Ndarjet tona janë të thella, sfidat përpara janë shqetësuese.”
Barack Obama, 59 vjeç, i cili ishte në pushtet nga 2009 në 2017, pranon që të flasësh për “idealet” e Amerikës, do të thotë që të flasës në një periudhë sfidash të mëdha në vend.
“Një vështrim i shpejtë në titujt tregon se idealet e këtij vendi kanë rënë prapa kapitalizmit të peshkaqenëve dhe sistemeve me bazë kastat”.
Ai e pranon se pyeste veten nëse nuk ishte shumë i moderuar në shprehje dhe shumë i kujdesshëm në veprimet e tij.
Ai e lë këtë pyetje të hapura dhe shprehet se është një optimist në planin afatgjatë dhe përsërit besimin e tij se me “vendosmëri dhe shumë imagjinatë, Amerika mund të shpresojë të pasqyrojë më të mirën në ne”.
‘Toka e Premtuar’, libri me kujtimet e Obamës për katër vitet e tij të para në Shtëpinë e Bardhë, do të dalë më 17 nëntor.