Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar sot të dhënat e fundit për koronavirusin dhe ekspertët thonë se 1 në 10 qytetarë ka pasur kontakte me virusin.
Në një takim të veçantë të drejtuesve të OBSH-së, Mike Ryan tha se vlerësimi nënkuptonte se “shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik“.
Në deklaratën e dhënë për Bordin Ekzekutiv të agjencisë, Mike Ryan, i cili njihet si eksperti më i mirë i urgjencës së OBSH-së, u shpreh se infektimet ishin në rritje në disa pjesë të Azisë Juglindore dhe vdekjet ishin në rritje në pjesë të Evropës dhe rajonit të Mesdheut Lindor.
“Vlerësimet tona më të mira aktuale na tregojnë se rreth 10% e popullsisë globale mund të jenë infektuar nga ky virus. Kjo ndryshon në varësi të vendit, ndryshon nga qyteti në fshat, ndryshon në varësi të grupeve. Por do të thotë se shumica e botës mbetet në rrezik.”
Deri tani shifrat zyrtarë që janë dhënë nga shtetet flasin për më shumë se 35 milionë të infektuar, por sipas OBSH numri i vërtetë arrin në 800 milion.
Sipas BBC-së, ekspertët kanë thënë prej kohësh se numri real i rasteve do të tejkalojë ato të konfirmuara. OBSH është pesimiste për pandeminë, pasi dhjetë muaj nga rasti i parë me COVID-19, duket se virusi nuk do të largohet shpejt.
Disa vende po shohin valë të dyta pas zbutjes së kufizimeve dhe në disa raste numrat janë edhe më të lartë, ku po mendohet për një mbyllje si në Mars të vitit 2020.