Politika LSI e vetme në zgjedhje, Kryemadhi zbulon qarqet ku do kandidojë dhe...

LSI e vetme në zgjedhje, Kryemadhi zbulon qarqet ku do kandidojë dhe sfidon Ramën

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zbuloi këtë të hënë në “Ilva Now” në Euronews Albania zonat e mundshme se ku do kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Ajo theksoi se do të garojë në ato zonat, ku socialistët janë më pak të përfaqësuar. E para e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se nuk përjashton faktin që të garojë në Tiranë, Fier, Durrës ose në Elbasan.

Madje, ajo e la të hapur mundësinë që t’i dalë në ballë vetë kryeministrit Edi Rama në qytetin e Durrësit, por kjo mbetet thjesht një kuadër të deklaratave politike të Kryemadhit, pasi asgjë nuk është zyrtare nga radhët e LSI-së.

“Listat nuk janë hapur, por i ka mbyllur dhe i ka bunkerizuar Edi Rama. Edi Rama garon për të katërtin ose të pestin. Unë do ta mendoj si në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan. Aty ku janë socialistët më të papërfaqësuar, aty do të jetë Monika Kryemadhi. Ka kohë, pse jo dhe në Durrës. Ka kohë, do jetë surprizë”, tha Kryemadhi.

Edhe pse nuk e tha qartë se LSI-së do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 2021, Kryemadhi u shpreh se sot 99% e shqiptarëve janë kundër Ramës.

“Koalicioni është frymë. Logoja e LSI as ka ikur ndonjëherë dhe as nuk do të ikë. Për të gjithë partitë e opozitës standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, janë standardi kryesor dhe nuk është çështja e listave. Sot shqiptarët duan arsim për fëmijët e tyre, sot shqiptarët duan shërbim shëndetësor. Beteja e LSI-së, opozitës dhe e shqiptarëve nuk ka nevojë për koalicione, sepse janë bashkë kundër Edi Ramës. 99% e tyre sot janë kundër tij”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se LSI-ja do të garojë e vetme në zgjedhje.

“LSI merr minimumi 40 deputetë”

Kryemadhi deklaroi se partia e saj do të marrë një rezultat surprizë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryemadhi tha se e bazonte optimizmin e saj tek zhgënjimi i socialistëve, duke theksuar se pret më 25 prill më shumë se 40 mandate.

Ndërsa fliste për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në Parlament kryetarja e LSI-së tha se “nuk ka makinacion që ia heq fitoren opozitës”.

“Edhe Taulant Balla t’i numërojë votat e opozitës nuk ka strukturë apo metodologji që të nxjerrë fitues Edi Ramën. E pamë lakuriq Edi Ramën. Deri tani e kishim parë biologjikisht, tani po e shohim politikisht. Rama shpreson të dëgjojë nga opozitës se nuk do të hyjë në zgjedhje”, tha Kryemadhi.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e LSI-së u shpreh se nuk beson se opozita ka gabuar me bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Duke komentuar deklarimin e ndërkombëtarëve, Kryemadhi u shpreh se, lexon zhgënjim për sjelljen politike të Ramës.

Optimizmin për fitoren në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ajo tha se e bazon edhe tek reagimet fëminore dhe në panik të Ramës.

“Beteja e 25 prillit ka marrë fund. Sot Rama ka opozitë socialistët e vet, minimumi do të dyfishojmë rezultatin. Me ndryshimet e mëparshme të 5 qershorit, LSI e fillonte dyshemenë e saj me 34 mandate, ndërsa sot e fillon dyshemenë me 40 mandate”, theksoi kryetarja e LSI-së.

“Do të jetë rezultat surprizë për shumë të tjerë, jo vetëm për Ilir Metën. 30% e administratës e votoi kundër në zgjedhjet lokale. Veprimet e njëanshme të Edi Ramës minimum do të dyfishojnë rezultatin e LSI-së, e them minimumi”, shtoi Kryemadhi.