Shtatë milionë vdekje të parakohshme në vit kanë shkak ndotjen e ajrit. Organizata Botërore e Shëndetit ka publikuar udhëzimet e reja për cilësinë e ajrit, duke e cilësuar ndotjen një nga kërcënimet më të mëdha mjedisore për shëndetin e njerëzve.
Sipas OBSH, sëmundjet e shkaktuara nga ndotja janë në të njëjtin nivel me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm.
Normat e lejuara të ndotjes, të rishikuara nga OBSH, synojnë të mbrojnë njerëzit nga efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit dhe përdoren nga qeveritë si referencë për standardet ligjërisht të detyrueshme.
“Respektimi i tyre mund të shpëtojë miliona jetë”, deklaroi OBSH.
Agjencia shëndetësore e OKB-së ka lëshuar udhëzimet e fundit për cilësinë e ajrit, ose AQG, në 2005. Udhëzimet patën një ndikim të rëndësishëm në politikat e zvogëlimit të ndotjes në të gjithë botën.
Sidoqoftë, 16 vjet më vonë, OBSH tha se ka prova të reja se ndotja e ajrit në përqendrime edhe më të vogla se norma e vendosur atëherë ndikonte në shëndetin e njerëzve.
“Provat e grumbulluara janë të mjaftueshme për të justifikuar veprimet për të zvogëluar ekspozimin e popullsisë ndaj ndotësve kryesorë të ajrit, jo vetëm në vende ose rajone të veçanta, por në shkallë globale”, thotë organizata.
Udhëzimet e reja vijnë në kohën e duhur për samitin global të klimës COP26 të mbajtur në Glasgou nga 31 tetor deri më 12 nëntor.
OBSH thotë se krahas ndryshimit të klimës, ndotja e ajrit është një nga kërcënimet më të mëdha mjedisore për shëndetin e njerëzve.