Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka hedhur poshtë pretendimet se pirja e duhanit zvogëlon rrezikun për t’u prekur nga COVID.
Ky vjen menjëherë pasi një studim në spitalin “Pitié-Salpêtrière”, në Paris sugjeroi që një substancë që gjendet në duhan, mund të ndalojë duhanpirësit që të preken nga COVID-19.
Studiuesit sqaruan se personat duhanpirës ishin më pak të prekur nga COVID në Francë, krahasuar me personat që nuk e pinin duhanin.
“Studimi ynë sugjeron që duhanpirësit e përditshëm kanë një probabilitet shumë më të ulët të preken nga virusi, në krahasim me popullatën e përgjithshme“, shprehej studimi.
Sidoqoftë, OBSH pretendon se aktualisht nuk ka prova bindëse për të mbështetur këto pretendime.
OBSH po kryen vazhdimisht kërkime të reja, duke përfshirë studimet që shqyrtojnë lidhjen midis përdorimit të duhanit, përdorimit të nikotinës dhe COVID-19.
Gjithashtu Organizata Botërore e Shëndetit i nxit studiuesit, shkencëtarët dhe mediat, të tregohen të kujdesshëm në lidhje me informacionet dhe pretendimet, se duhani ose nikotina mund të zvogëlojnë rrezikun nga COVID-19.
OBSH shtoi se pirja e duhanit mund të çojë në komplikacione më të rënda, nëse individët preken nga virusi.
“COVID-19 është një sëmundje infektive që sulmon kryesisht mushkëritë. Pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive, duke e bërë më të vështirë për trupin të luftojë virusin dhe sëmundjet e tjera”, shprehet OBSH.
OBSH bën thirrje që pirësit e duhanit të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të lënë atë.