Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se ka prova të qarta që tregojnë se koronavirus ka origjinë natyrore dhe nuk është krijuar në një laborator në Wuhan të Kinës, sikundër deklaron dhe pretendon presidenti i SHBA, Donald Trump.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara thonë se ata nuk kanë parë asnjë provë se bëhet fjalë për një virus të krijuar
“Ne nuk kemi marrë asnjë të dhënë ose provë specifike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në lidhje me origjinën e supozuar të virusit, kështu që nga këndvështrimi ynë kjo mbetet spekulative. Si çdo organizatë e bazuar në prova, ne do të ishim shumë të gatshëm të merrnim çdo informacion që tregon mbi origjinën e virusit, sepse siç kemi, thënë origjina e tij është një pjesë shumë e rëndësishme e informacionit për shëndetin publik dhe për të arritur kontrollin në të ardhmen”, u shpreh dr. Michael Ryan nga OBSH.
Ish-diplomati i BE në Kinë, Charlie Parton shprehet për Euronews se është i nevojshëm një ekzaminim i plotë.
“Më e rëndësishmja është që të bëhet një hetim i duhur nga kinezët dhe me transparencë për pjesën tjetër të botës, në mënyrë që të mund të përcaktojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, si zhvillohet virusi dhe për këtë arsye të ndërmarrë masa ndaj tij si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen”, thotë ai.
OBSH shprehet se shkencëtarët kinezë po vijojnë punën për të bashkëpunuar me botën, por akuzat për përhapje të qëllimshme nga zyrtarët e Pekinit mund t’i japin fund bashkëpunimit të rëndësishëm shkencor.