Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se koronavirusi mund të mos largohet kurrë.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, OBSH tha se edhe nëse do të gjendet një vaksinë për Covid-19, për ta mbajtur nën kontroll këtë virus do të duhet një përpjekje e madhe.
“Ky virus mund të bëhet një tjetër virus endemik dhe të mos zhduket kurrë. HIV nuk ka ikur, por ne po bashkëjetojmë me virusin”, tha Mike Ryan, drejtor i urgjencave në OBSH.
Askush nuk mund të parashikojë, tha ai, se kur do të zhduket kjo sëmundje.
Aktualisht po zhvillohen rreth 100 vaksina për Covid-19, por Ryan theksoi se edhe sëmundje të tjera të tilla si fruthi nuk janë zhdukur edhe pse ndaj tyre ka vaksinë.
Në të gjithë botën raportohet që të kenë vdekur 300 mijë njerëz si pasojë e koronavirusit Covid-19, ndërsa më shumë se 4.3 milionë të tjerë janë të infektuar.