Bota OBSH, kritika Europës për ritmin e ngadaltë të vaksinimit: E papranueshme

OBSH, kritika Europës për ritmin e ngadaltë të vaksinimit: E papranueshme

OBSH kritikon Europën për ritmin e ngadaltë të vaksinimit. “Vaksinat janë mënyra jonë më e mirë për të dalë nga kjo pandemi. Sidoqoftë, fillimi i këtij procesi është në mënyrë të papranueshme i ngadaltë” dhe “po zgjat pandeminë”, tha drejtori i OBSH-së për Evropën në një deklaratë, Hans Kluge.

OBSH vlerëson se rritja e aktuale e numrit të rasteve të koronavirusit në Evropë është më shqetësuesja.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1.6 milion njerëz janë prekur nga COVID-19 në 51 vendet e Evropës javën e kaluar – java e gjashtë radhazi që shënon rritje.

“Vetëm pesë javë më parë, numri javor i rasteve të reja në Europë ishte rreth një milion, por tani situata e rajonit është më shqetësuese sesa ajo që kemi parë në disa muaj“, theksoi Dr. Dorit Nitzan, drejtori Rajonal i Emergjencave për OBSH në Evropë.

Rritja u vu re në çdo grupmoshë, përveç moshave 80 vjeç ose më shumë, të cilët sipas ekspertëve janë reflektim i vaksinimit të hershëm.

Të dhënat nga Britania e Madhe tregojnë se vaksina u ka shpëtuar jetën 6 000 njerëzve mbi 70 vjeç që kur vendi filloi fushatën e vaksinimit në fillim të dhjetorit.

“Vaksinat jo vetëm që funksionojnë, por janë edhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit. Për sa kohë që mbulimi mbetet i ulët, ne duhet të zbatojmë të njëjtat masa të shëndetit publik dhe social si në të kaluarën, për të kompensuar vonesat. Më lejoni të jem i qartë: ne duhet të përshpejtojmë procesin duke rritur prodhimin, duke ulur pengesat për administrimin e vaksinave, dhe përdorimin e çdo shisheje të vetme që kemi në magazinë”, tha shefi i OBSH-së në Evropë, dr. Hans Kluge.