Sport Qeveria u heq pasaportën diplomatike futbollistëve të “Euro 2016”

Qeveria u heq pasaportën diplomatike futbollistëve të “Euro 2016”

Pasi Shqipëria arriti të kualifikohej për herë të parë në finalet e një Kampionati Europian, pjesëtarët e atij ekipi historik u pajisën me pasaporta diplomatike nga qeveria.

Por, në ditën e ndeshjes ndaj San Marinos, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i dërgoi një shkresë zyrtare FSHF-së, duke deklaruar se të gjithë personat që janë pajisur me një pasaportë diplomatike duhet ta dorëzojnë brenda afatit të caktuar, që është vendosur në 1 qershor 2021.

Futbollistët e kombëtares dhe delegacioni i saj u pajisën me pasaportë diplomatike pas VKM të datës 23 qershor të vitit 2016.

Kërkesa për rinovimin e pasaportave ka marrë përgjigje negative, sepse referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, më datë 12 qershor 2019, këto subjekte nuk cilësohen kategori që gëzojnë të drejtën për t’u pajisur me dokumentin diplomatik.

Lajmin për heqjen e pasaportave diplomatike për lojtarët dhe stafin e ekipit kombëtar të futbollit që mori pjesë në Euro 2016, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e quajti “shumë zhurmë për asgjë!”

“Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti. Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja përse djemtë tanë sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016”, shkroi Xhaçka në Facebook.