Një ilaç i mundshëm antiviral për koronavirus raportohet se ka dështuar në provën e parë klinike. Kishte shumë shpresa që Remdesivir mund të trajtonte pacientët me Covid-19, por një test në Kinë tregoi se ilaçi nuk kishte qenë i suksesshëm, sipas draft dokumenteve të publikuara aksidentalisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Medikamenti nuk e përmirësoi gjendjen e pacientëve apo zvogëloi praninë e patogjenit në rrjedhën e gjakut, thekson OBSH. Megjithatë, firma amerikane që qëndron pas ilaçit, Gilead Sciences, tha se dokumenti e kishte karakterizuar keq studimin.
OBSH ka fshirë studimin për Remdesivir, i cili u provua në mbi 200 të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 14% humbën jetën. Testet klinike u ndërprenë për shkak të efekteve anësore të ilaçit në fjalë. Por ditë më parë një spital në Çikago kuroi pacientë të shumtë me Remdesivir, gjendja e të cilëve përmirësohej brenda 14 ditëve. Kjo nxiti shpresa për një përdorim të gjerë, por që u shuan nga rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.