Kryesore E pazakontë në Jeruzalem: Hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët luten së bashku...

E pazakontë në Jeruzalem: Hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët luten së bashku për të mposhtur koronavirusin

Një ngjarje unike është konsideruar ajo që ndodhi në Jeruzalem, ku çifutët, myslimanët dhe të krishterët u lutën së bashku për herë të parë për t’i dhënë fund koronavirusit.

Krerët e tre besimeve fetare u takuan në tarracën e hotelit “King David” në Qytetin e Shenjtë me një qëllim të përbashkët, për të mposhtur pandeminë.

Rabitë izraelitë, Yitzhak Yosef dhe David Lau, patriarku ortodoks grek, Theophilus III, patriarku latin Pierbattista Pizzaballa, imamët Gamal el Ubra dhe Agel Al-Atrash dhe Sheik Mowafaq morën pjesë në lutjen në grup. Të gjithë klerikët përdorën gjuhën e tyre liturgjike.

“O Perëndi, ti që na ushqen urinë dhe na siguron bollëk, ti që na çlirove nga murtaja dhe nga sëmundjet serioze, të lutemi na ndihmo. Deri më tani, mëshira juaj na ka ndihmuar dhe mirësia juaj kurrë nuk na ka braktisur, kështu që po të lutemi dhe po ju kërkojmë që të na shëroni, o Zot, dhe ne do të shërohemi, na ruaj dhe na shpëto o Zot, sepse lavdia jonë je ti”.

Kjo është lutja e përdorur nga drejtuesit e tre feve.

Që prej fillimit të vitit 2020, mbarë bota po përballet me një virus, i cili ka shkaktuar shumë pasoja në jetë të humbura njerëzish. Çdo ditë numërohen me mijëra të vdekur në mbarë botën, aq sa sot totali i tyre ka arritur në mbi 190.000.

Krahas viktimave, ky virus i quajtur Covid-19 ka goditur jetën e shumë të tjerëve. Në total, numri i të infektuarve e ka kaluar atë të 2 milionëve. Një botë e tërë nën rrezikun e infektimit duket si në një gjendje apokaliptike.

Ekonomia botërore ka pësuar goditje tejet të fortë dhe dëmi ekonomik ka arritur në miliarda dollarë. Efekte të tjera negative karshi shoqërisë njerëzore kanë qenë të natyrës emocionale, pasi shumë njerëz nuk e kanë përjetuar mirë izolimin dhe për pasojë ka pasur më shumë dhunë në familje, më shumë gjendje depresive.

Lutja e klerikëve të tri feve monotoiste ka ardhur në një moment të duhur, jo me bindjen se nesër gjithçka do të ndryshojë, por me shpresën se nuk do të jemi vetëm.