Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas aksionit të OFL-së, e cila sekuestroi 1.2 milionë litra naftë në Durrës, në pronësi të Lulzim Berishës.
Teksa ka shpërndarë deklaratën e OFL-së në rrjetin e tij social “Facebook”, shefi i qeverisë shkruan “OFL shpërbën një skemë kriminale në tregtimin e karburantit për peshkimin”.
Përmes një deklarate për shtyp, OFL-ja theksoi se firmës në pronësi të Lulzim Berishës i është revokuar licenca dhe nuk lejohej të vepronte në tregtimin e karburantit për peshkimin.
“Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit”, theksoi OFL-ja.
Sasia e karburantit dhe magazina doganore u bllokuan mbrëmjen e djeshme.