Dita e tretë e protestës së opozitës përkoi me 20 shkurtin, ditën e rrezmit te bustit te Enverit 26 vjet më parë, kur kërkonin rrëzimin e regjimit komunist.
Në çadrën e lirisë, siç e quajnë demokratët, kryetari demokrat tha se opozita nuk kërkon largimin e Sajmir Tahirit, por atë të Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Tani që ky vendim është shpallur, ky vendim është marrë, ne i themi sot se zgjedhje të lira të ndershme ka dhe do të ketë vetëm me një qeveri teknike, pa Edi Ramën kryeministër, pa këta ministra. Nga kjo nuk ka kthim. Kur po vija këtu dy zonja më kapën dhe më pyetën: a do ketë kthim mbrapa? Unë i premtova atë që unë kam në dorë. Unë nuk kthehem nga kjo rrugë pa fitoren që iu kam premtuar ju: zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike. Unë iu bindem juve, jam në shërbimin tuaj”, tha Basha.
“PD ka marrë një vendim dje në përputhje me zërin tuaj. PD dhe grupi i saj do të zhvillojnë deri në arritjen e objektivave tona për qeveri teknike, aktivitetin parlamentar në sheshin e Lirisë këtu me ju dhe qytetarët shqiptarë. Ta harrojnë se mund të përdorin të njëjtat truke si paraardhësit e tyre. Sot kanë ofruar përmes mediave të kontrolluara nga kryeministri kokën e Sajmir Tahirit. Ajo është një kokë peshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Ne nuk jemi këtu të pranojmë koka turku dhe pastaj të ulim kokat tona dhe të pranojmë zgjedhje të vjedhura. Mbaje Sajmir Tahirin për vete, zgjidhja është largimi i qeverisë tënde”.