Në një konferencë të organizuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, drejtues të kësaj organizate thanë se ndihma e Shqipërisë për popullin hebre gjatë holokaustit mbetet një shembull i fuqishëm i guximit dhe integritetit përballë egërsisë naziste.
Siç njofton nga Nju Jorku korrespondenti i Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi, në konferencë folën përfaqësues të Shqipërisë, të vendeve të tjera dhe të diasporës shqiptare në SHBA.
Konferenca titullohej: “Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë holokaustit”. Ajo organizohej nga Departamenti i Komunikimit Global të OKB-së, në bashkëpunim me misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Hebraik Botëror.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, se çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit. Ajo tha se ky shembull është sidomos i rëndësishëm në botën e sotme kur njerëzit kudo në botë janë dëshmitarë të rritjes së populizmit, ksenofobisë, neonazizmit dhe grupeve të urrejtjes.
Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, tha se shqiptarët i dërguan botës një mesazh ndriçues dhe të fuqishëm përmes historisë së mikpritjes, sakrificës dhe harmonisë fetare, një mesazh që nevojitet shumë në botën e sotme. “Jam krenare sot që nderoj trashëgiminë e popullit shqiptar dhe që jam pjesë e një kombi, i cili qëndroi në anën e drejtë të historisë, në kohën e duhur dhe mori vendimin e drejtë,” tha zonja Kadare.
Ajo tha se nuk duhet harruar kurrë thelbi moral i besës, që është kultivimi i tolerancës dhe respektit ndaj çdo qënieje njerëzore, pavarësisht nga origjina apo feja e tyre.
Presidenti i Kongresit Hebraik Botëror, Ronald Lauder, filantrop i njohur, tha se Shqipëria qëndron veç vendeve të tjera si një ndër përjashtimet e pakta në Evropë që shfaqi një fisnikëri të tillë. Ai tha se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca dhe dënoi sidomos indiferencën që, sipas tij, shfaqet sot në disa vende, ku kandidatë për poste politike përqafojnë platforma anti-semite ose anti-izraelite.
Anna Cohen, pasardhëse e një familjeje hebraike, e lindur dhe e rritur në Vlorë, foli për respektin e popullit shqiptar ndaj hebrejve, që ajo tha se nuk e harron kurrë, ndërsa Majlinda Myrto, drejtoreshë ekzekutive e fondacionit “Eye Contact” ndau me të pranishmit historinë e shpëtimit të hebrejve nga familja e bashkëshortit të saj në Shqipërinë e vitit 1943.
Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, tha se nuk habitet për faktin që shqiptarët në Shqipëri shpëtuan hebrenj gjatë holokaustit, sepse kjo është një traditë shqiptare dhe me shumë rëndësi. Gjatë viteve kur Shqipëria sundohej nga një diktator, – tha ai, – populli shqiptar nuk e humbi kurrë forcën dhe vullnetin për t’u çliruar një ditë dhe për të qenë një demokraci.
Jonathan Cohen, përfaqësues në detyrë i Shteteve të Bashkuara në OKB, tha se “ne njohim dhe admirojmë traditën shqiptare të tolerancës fetare dhe të fisnikërisë njerëzore, e cila bëri që hebrejtë të gjenin në Shqipëri një strehë të sigurtë për t’u mbrojtur nga nazistët.” Kjo histori e pranimit dhe guximit, – tha ai, – është një shembull për ne të gjithë, sepse sot, në shumë vende të botës, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në këtë aspekt, siç është rasti i shtypjes në Birmani, Siri apo Venezuelë, ku shumë qeveri nuk guxojnë të ngrejnë zërin, madje marrin në mbrojtje ata që kryejnë krime.
Tahir Kukaj, imam i qendrës kulturore islame në Staten Island të Nju Jorkut, tha se fotografitë e hebrejve dhe shqiptarëve të vendosura në sallën e konferencës janë të ekspozuara edhe në xhaminë e tij. Ato, tha ai, na janë dhuruar nga Kolegji i Unionit Hebraik për të nderuar dhe përkujtuar ata heronj. Ne i edukojmë të rinjtë tanë me frymën e mikpritjes dhe të besës. “Shqiptarët që shpëtuan hebrej nuk ishin superheronj, por ishin njerëz. Ne nuk jemi as superheronj dhe as batmen; nuk ka nevojë të jesh superhero të shpëtosh jetë njerëzore, por duhet të jesh njeri,” tha imam Kukaj.
Cafo Boga, biznesmen dhe financier nga Nju Jorku, tha se historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët nuk është treguar e plotë. “Më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Të njëjtat histori të shpëtimit të hebrenjve kanë ndodhur edhe në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, apo në Greqinë veriore. Dhe më duket se aktet e tyre po harrohen nëse ne fokusohemi vetëm te Shqipëria”. Ai tha se për këtë arsye, ambasadorja e Kosovës duhet të ishte lejuar të fliste në këtë forum. Mënyra se si hebrejtë u trajtuan nga shqiptarët është mënyra shqiptare e mikpritjes, tha zoti Boga.
Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, nuk e ndoqi deri në fund diskutimin dhe më pas i tha në telefon Zërit të Amerikës se i vjen keq që organizatorët nuk ia dhanë fjalën në konferencë. Shpëtimi i hebrejve gjatë luftës, tha ajo, ishte një akt i shqiptarëve si komb dhe jo vetëm i një pjese të tyre.
Ambasadori i Austrisë në OKB, Jan Kickert, tha se i vjen turp si austriak për faktin që bashkatdhetarët e tij nuk treguan guximin e treguar nga shqiptarët gjatë Holokaustit.
Ish Kongresmeni Joe DioGuardi tha se zbulimi i historisë së shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët nuk filloi në vitin 2007, siç thuhet ndonjëherë, por shumë më herët, në vitin 1990, kur ai bashkë me kongresmenin e ndjerë Tom Lantosh vizituan Shqipërinë. Kjo histori, tha ai, kishte qendruar e shtypur nën komunizmin dhe askush dinte gjë. Zoti DioGuardi tha në Konferencë se në shpëtimin e hebrenjve nuk duhet harruar kontributi i Kosovës, ku njerëzit krijuan një rrjet të nëndheshëm për këtë qëllim. Prandaj, shtoi ai, është për të ardhur keq që Izraeli ende nuk e njeh Kosovën.
Në konferencë ishte ftuar edhe familja Biçaku nga Librazhdi që shpëtoi 26 hebrej gjatë luftës. Qemal Biçaku komentoi kështu për Zërin e Amerikës:
“Ata erdhën nga Beogradi. Kishin besim në familjen tonë. Familja e ruajti traditën dhe i mbajti në shtëpi. Fshati bashkëpunoi, fisi Hasa dhe Biçaku. Të dy fiset me dashuri dhe respekt të madh arritën t’i shpëtojnë hebrejtë.”
Zoti Biçaku tha se familja e tij erdhi nga Shqipëria me shpenzimet e tyre për të shprehur respekt ndaj aktit të fisnikërisë dhe humanizmit që treguan pasardhësit e tyre. “U faleminderit atyre që na bënë ftesën, por nuk na erdhi mirë (që nuk mundëm të flasim në konferencë), sepse një kumtesë të vogël sadopak ne duhet ta kishim dhënë.”
Doktoreshë Anna Cohen i tha Zërit të Amerikës se ajo ka një kujtim dhe dëshiron t’u japë një mesazh shqiptarëve që shpëtuan hebrenj gjatë luftës:
“Unë jam bija hebraike e Shqipërisë. Kur isha e vogël, sepse siç e dini unë jam nga Vlora, bëja gjithmonë një vizatim ku dukej perëndimi i diellit dhe një varkë me flamurin shqiptar dhe flamurin izraelit. Dhe thosha: Sa mirë sikur një ditë këta flamurë të mund të bashkohen. A do të ndodhë kjo ndonjëherë? Pa shihni çfarë po bëhet tani me flamurin shqiptar e izraelit dhe me atë varkën! Ajo varkë është mbushur plot me njerëz që vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Është mbushur me turistë që vijnë të shikojnë Rrugicën e Hebrenjve që bëra unë në vitin 2006.” “Njerëzit që vijnë e vizitojnë kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e këtij populli të thjeshtë që në atë kohë mori në gjirin e tij gjithë izraelitët dhe nuk i la të vdesin. Prandaj unë ju falenderoj nga zemra që na keni shpëtuar.”