Astra Zeneca do të bashkojë forcat me Rusinë për të testuar një kombinim të vaksinës së vet eksperimentale, me Sputnikun e krijuar në Rusi.
Ekspertë nga të dyja palët shpresojnë se duke ndërthurur dy vaksinat do të rrisin mbrojtjen nga Covid-19.
Eksperimenti do të nisë në fund të vitit dhe Moska, siç tha fondi sovran rus, është e interesuar të prodhojë bashkërisht me Oxford dhe Astra Zenecan, vaksinën e re, nëse do të provohet si e efektshme.
Edhe Astra Zeneca tha në një deklaratë, gjatë së premtes, se po konsideronte se si të ndërthurte dy vaksinat, dhe se së shpejti do të niste punën me Institutin Gamaleya, në Rusi.
Detaje të mëtejshme nuk u dhanë, por sipas palës ruse vaksina do të testohej te vullnetarë nga mosha 18-vjeçare e lart. Bashkëpunimi mes një prej kompanive më me vlerë britanike me institutin shkencor të mbështetur nga qeveria ruse, nxjerr në pah presionin e madh për të luftuar pandeminë që ka vrarë mbi 1.5 milionë njerëz.
Lëvizja shihet si një votëbesim i shumëpritur për vaksinën Sputnik, nga gjiganti farmaceutik botëror.
Lajmi erdhi pas njoftimeve zhgënjyese, se francezja Sanofi dhe GlaxoSmithKline do të shtyjnë deri në fund të vitit të ardhshëm nxjerrjen në treg të vaksinës së tyre, ndërsa Australia braktisi përpjekjet për një vaksinë premtuese, e cila nxiste reagim imunitar ndaj Hivit.