Sport Pogba drejt largimit nga “Old Trafford”, Reali propozon një shkëmbim me Hazard

Pogba drejt largimit nga “Old Trafford”, Reali propozon një shkëmbim me Hazard

Më 8 gusht të 2016-ës Manchester United pagoi plot 110 milionë euro në arkat e Juventusit, për të rikthyer në “Old Trafford” mesfushorin francez Paul Pogba, i cili pas thuajse 5 sezonesh me fanellën e “djajve të kuq” është gati të largohet sërish.

Mesfushori ka pasur probleme të shumta, fillimisht me Mourinhon dhe tani me Solskjaer, ndërsa së fundi ishte menaxheri i tij Mino Raiola që e bëri të qartë publikisht se Pogba nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën që skadon në verën e 2022-shit.

Në një situatë të tillë, drejtuesit e Manchester United duket se janë dorëzuar dhe kanë nisur punën për shitjen e francezit, që kërkohet nga klube të ndryshme me Real Madrid, Juventus e PSG në krye të listës.

Megjithatë kriza ekonomike e shkaktuar nga Covid-19, kontrata drejt skadencës, por edhe forma e dobët në dy vitet e fundit, ka bërë që asnjë klub të mos jetë i gatshëm të paguajë më shumë se 55-60 milionë euro për kartonin e mesfushorit francez, praktikisht vetëm gjysmën e shifrës që Manchester United pagoi në 2016-ën për të blerë Pogba.

Pikërisht për këtë arsye, shefi ekzekutiv i “Djajve të kuq”, Ed Woodward është më i prirur të bëjë një shkëmbim me Pogba, sesa ta shesë me bilanc negativ, ndaj po merr në konsideratë emra si Paulo Dybala e së fundi edhe Eden Hazard.

Ky i fundit iu bashkua Realit të Madridit verën e 2019-ës, por dëmtimet e shpeshta e kanë lënë më shumë në infermieri sesa në fushë, ku ka luajtur shumë pak dhe nuk ka arritur të lërë gjurmë me fanellën e “Los Blancos”.

Florentino Perez pagoi më shumë se 100 milionë euro për kartonin e belgut dhe do të ishte i lumtur ta këmbente kokë më kokë me Pogba, pasi dëmtimet e shpeshta të Hazard dhe fakti që në janar do të festojë ditëlindjen e 30, lë pak shpresa për një rikthim të tij në nivelet e pritshmërive.

Hazard është një emër që josh edhe trajnerin Solskjaer e drejtuesit e Manchester United, pasi belgu është një ekspert i kampionatit anglez, ku ka luajtur për shumë sezone me Chelsean dhe do të shtonte cilësinë e eksperiencën në repartin e avancuar, ku “djajtë e kuq” kanë shumë elementë të rinj.