Olsi Rama flet pa dorashka në konferencën e prezantimit të trajnerit të ri. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit falenderoi fillimisht trajnerin e larguar Skënder Gega dhe stafin e tij ndërsa shpjegoi edhe arsyet e lamtumirës së këtij të fundit. Më pas Rama nënvizoi se Franko Lerda ishte zgjedhja e duhur dhe më e mira për stolin e Partizanit.
“Është kënaqësi që jemi kthyer në sallën e mediave të Partizanit tonë me titullin kampion. Mbyllën kampionatin me sukses. Një falënderim i veçantë i shkon stafit, sidomos trajnerit Gega. Gjithashtu falenderoj edhe pjesën tjetër dhe gjithë lojtarët. Hapet një histori e re për Partizanin. Trajneri u largua për arsyet e veta personale. Nisëm kërkimet për trajnerin e ri. Kemi parë shumë profile dhe trajnerë interesantë, për arsye nga më të ndryshme nuk u gjet marrëveshja. Profili i trajnerit që më bindi më shumë mua dhe bashkëpunëtorët, ishte Franko Lerda. Një trajner i ri, që ka bërë shumë mirë në karrierën e vetë. Ka trajnuar Leccen dhe Torinon. Jemi të kënaqur dhe mendoj që vizioni i tij për punë do jetë vlerë e shtuar për klubin e Partizanit dhe ekipin tonë”.
Pjesëmarrja në Champions League është objektivi primar i të kuqëve dhe Rama është i bindur se skuadra do të paraqitet mirë, edhe pse shpreson që të ketë pak fat në short.
“Një nga synimet e mija kryesore është të rris nivelin e profesionalizmit dhe t’iu jap mundësi lojtarëve të përfaqësohen në vazhdimësi. Sfida e parë është në shortin e Champions League. Shpresoj që goglat të na sjellin fat. Sido të jetë punë, do luajmë 11 kundër 11. Ekipi do të grumbullohet për fazë përgatitore në Slloveni. Kanë ardhur lojtarë të rinj, do të vijnë disa të tjerë, në mënyrë që skuadra të plotësohet dhe të bëjë sa më mirë në Champions.”
Drejtori është i bindur se me Lerdan skuadra do ta rrisë nivelin dhe do të jetë akoma më kompetitive.
“Për Gegën urova të jetë si Wenger, por nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Vjet bëmë një hap të madh dhe tani shpresoj të bëjmë një tjetër hap të madh duke parë stërvitjen dhe marrëdhënien dhe të ngremë nivelin tekniko-taktik të skuadrën. I kam pasur në konsideratë trajnerët shqiptarë. I vlerësoj dhe janë goxha të përgatitur. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër. Bashkëpunëtorët e mia dua që të përmirësojnë problemet. Lerda na ndihmon të shohim një hap përpara”.
Por çfarë e bindi më shumë te Lerda që zgjodhi pikërisht atë?
“Me trajnerin bëmë një marrëveshje xhentëllmene. Trajneri e ka mbaruar Covercianon me nota shembullore. Kam pyetur edhe bashkëpunëtorët e tjerë, më ka bindur më tepër se çdo gjë, dëshira e tij dhe entuziazmi. Kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë. Në Shqipëri, Partizani duhet të jetë një urë për të gjithë lojtarët e rinj që të lançohen në Europë”.
Rama nuk i trembet faktit se Lerda mund të ketë një fat të ngjashëm me tre bashkëkombasit e tij te Partizani.
“Është e vërtetë që Partizani ka pasur 3 trajnerë italianë në të kaluarën, por asnjë nuk ka pasur në drejtim ekip kampion. Lerda ka qëndruar gjatë në ekipet që ka drejtuar, kjo tregon që ka qenë i dëshiruar në klubet përkatëse. Gjithçka varet nga temperamenti i drejtuesve. Do shohim principin e lojës dhe rezultateve. Po i japim një ekip që unë mendoj se është ekip më i mirë se ekipet e tjera që ka drejtuar. Kontrata është 1-vjeçare, me mundësi rinovimi në vitet pasardhëse”.