Olsian Çela është Prokurori i ri i Përgjithshëmi Shqipërisë. Kandidatura e tij mori 101 vota në Kuvend, nga 84 që duheshin për t’u miratuar. Çela mori 2 vota kundër ndërsa 10 deputetë abstenuan.
Olsian Çela ishte renditur i pari në listën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kishte dorëzuar Kuvendit, pas intervistimit të tre kandidateve. Më parë, kreu i këtij institucioni, Gent Ibrahimi, kishte deklaruar se priste që Kuvendi të respektonte këtë renditje dhe të zgjidhte pikërisht zotin Çela.
Në garë me të ishin edhe Prokuroria e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila mori vetëm 11 vota pro, ndërsa kandidatja e tretë, Fatjona Memçaj, mori vetëm 8 vota pro.
Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore që pasuan reformën në drejtësi. Megjithatë, në intervistën përballë KLP-së Çela premtoi një ndryshim rrënjësor të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Çela foli për nevojën për të përmirësuar imazhin e prokurorisë dhe e vuri theksin në barazinë para ligjit dhe atë që ai e quajti një sistem që mund të mbronte qytetarët nga “dhuna e shtetit, edhe brenda kornizave ligjore”.
Kush është Olsian Çela
I konsideruar si “prokurori i dosjeve të forta”, Olsian Çela ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002.
Ai ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka qenë drejtues i saj në vitet 2008-2012, kohë gjatë së cilës u goditën banda të fuqishme kriminale.
Gjatë karrierës së tij, Çela ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe ka kontribuar si ekspert i jashtëm në paketën e ndryshimeve ligjore në kuadër të reformës në drejtësi.
Ai ka qenë gjithashtu trajnues në Programin e Trajnimit Vazhdues në Shkollën e Magjistraturës si dhe pedagog i jashtëm në universitetet “Justiniani I” dhe “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Në shtator 2018, Çela u transferua në Berat dhe u bë subjekt i një procedimi disiplinor të iniciuar nga Arta Marku pas një debati të ndodhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mes një grupi prokurorësh dhe drejtueses Donika Prela. Masat e marra nga Marku u rrëzuan në gjykatë dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa Olsian Çela u rikthye te Krimet e Rënda për të synuar postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.
Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosjet e bujshme, siç është Xibraka, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.