Opera apo kënga lirike italiane shpallet Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit nga Unesco.
Pas kërkesës dhe një pune të gjatë, një ekselencë tjetër e Italisë, merr titullin e merituar zyrtarisht, në listën e trashëgimisë botërore jomateriale.
Pavarësisht se shumë kombe kanë një traditë të gjatë e të shkëlqyer në këtë gjini, opera lindi e u rrit në Itali, që ende sot është vendi që ka më shumë teatro operash në botë përkatësisht 62, dhe që në mënyrë universale është konsideruar gjithnjë “atdheu i saj”.
Lindi në fund të shekullit XVI dhe fillim të XVII nga një grup intelektualësh fiorentinë, që vendosën të krijonin gjininë e re muzikore. Më pas, njohu një zgjerim të madh në epokën Baroke, kryesisht në Venezia, Napoli dhe Romë.
Fillimisht konsiderohej një spektakël për oborret mbretërore e më pas edhe për elitën intelektuale e klasën aristokrate.
Sot teatri i operas më antik ende në funksion në botë është “San Carlo” i Napolit i ndërtuar në vitin 1737, i pasuar nga “La Scala” i Milanos që hapi siparin në 1778, e ai i Venecias, “La fenice”, 1792.