Aktualitet Operacioni i Europol me 566 të arrestuar, Balla bën bilancin për Shqipërinë

Operacioni i Europol me 566 të arrestuar, Balla bën bilancin për Shqipërinë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionin gjigant të Europol gjatë muajti nëntor në 26 vende të ndryshme, gjatë së cilit u arrestuan 566 persona dhe u sekuestruan sasi të mëdha droge, armësh dhe sendesh të tjera të paligjshme.

Sipas Ballës, ky aksion u shtri dhe në vendin tonë ku u arrestuan 28 shtetas dhe u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, 81 kg lënde narkotike canabis dhe shumë doza kokainë.

Në Shqipëri operacioni u koordinua nga Drejtoria e Europol dhe u angazhuan 315 efektivë policie, të cilët ushtruan kontroll ndaj 2648 subjekteve, 1525 shtetasve, 987 mjeteve, 40 pakove postare dhe 92 ambienteve.

Ministri shton se aksioni kishte në shënjestër rrjete të trafikimit të armëve të zjarrit, të lëndëve narkotike, të emigrantëve si dhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë.

Në total në 26 vendet europiane, gjatë këtij operacioni janë arrestuar 566 shtetas, 218 për trafikimin e personave, 186 për trafikimin e drogës, 69 për trafikimin e armëve, 89 për krime të tjera si dhe janë sekuestruar 310 armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 1 ton drogë.