Gjatë operacionit “Rruga e gabuar” u prangosën me bujë 32 persona, kryesisht taksistë dhe shoqërues klandestinësh, por jo i dyshuari kryesor i grupit, Dritan Gramozi.
Megjithëse ditën e aksionit 44-vjeçari ishte nën vëzhgimin e agjentëve civilë teksa ishte duke pirë kafe, në mënyrë të çuditshme dhe ende të pashpjegueshme ai i shpëtoi policisë.
I vetmi që u prangos në lokalin ku po konsumonte kafe Dritan Gramozi, është Rezart Hoxha, një i bashkëdyshuar me të.
Nuk ka ende një shpjegim zyrtar se si u largua nga vendi ku ishte rrethuar Dritan Gramozi, ndërkohë që nuk përjashtohen mundësia që ky aksion të jetë dekonspiruar.
Siç thuhet në dosje Dritan Gramozi është njeriu që prodhonte dhe siguronte dokumente të falsifikuara, jo vetëm karta identiteti, por edhe pasaporta greke, italiane, bullgare dhe çeke.
Më tej, prokuroria tregon se Gramozi, pasi gjente përmes bashkëpunëtorëve të tij personat që do të udhëtonin në mënyrë të paligjshme ju mundësonte atyre edhe kalimin e paligjshëm përmes pikave të Qafë-Botës dhe Kakavijës.
Mënyra më speciale e ndërhyrjes në dokumente është ajo e fshirjes së vulave për çdo person i cili ishte deportuar nga vendet e Bashkimit Europian.
Ky shtetas, sipas prokurorisë, posedonte 4 numra telefoni dhe përmes anëtarëve Gramozi kujdesej jo vetëm për rezervimin e linjave të udhëtimit, por edhe akomodimin dhe mbërritjen në destinacion. Por, episodi më i rëndë është ai i pajisjes me dokumenta false të Hajri Seferit, që është i dyshuari i grupit Avdylaj, i cili është kapur teksa po largohej nga Shqipëria.
Por, gjatë ditës të gjithë të arrestuarit u lanë nën arrest me burg, por nuk munguan edhe denoncime si ai i Enver Mukës për të cilin edhe pse ishte shpallur në mungesë arrest shtëpiak ai u shfaq në të njëjtin kafaz me të arrestuarit që u sollën nga paraburgimi. Menjëherë pasi gjykata konstatoi këtë shkelje urdhëroi lirimin e Mukës, i cili nuk e shpjegoi dot se si përfundoi në paraburgim.