Prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka dalë me deklaratë menjëherë pas vendimit të opozitës për të djegur mandatet.
“Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”, lexohet në deklaratë.
“Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan. Bazuar në përkrahjen tonë të kahershme për Shqipërinë, ne bëjmë thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe për rifillim të procesit demokratik në Kuvend, një nga arritjet e Shqipërisë demokratike moderne. Shqipëria ka bërë përparim domethënës përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke lënë pas autoritarizmin. Ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”, shton deklarata.