Sesioni i ri parlamentar nisi mes kaosit këtë të hënë, ashtu siç ishte mbyllur sesioni i kaluar. Opozita mori bilbilat në Kuvend si dhe bllokoi edhe foltoren duke mos lejuar presidentin Bajram Begaj të japë mesazhin e tij për opozitën dhe mazhorancën, në një kohë kur Kuvendi ka muaj që nuk po funksionon normalisht. Kjo është konsideruar si provokim nga ana e opozitës.
Në këtë situatë, Begaj u zhvendos në Presidencë ku dha mesazhin e tij për palët politike, duke bërë thirrje për bashkëpunim.
“Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv, përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës pa shuar debatin që institucionet e shtetit të forcohen. Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit fatkeqësisht shpenzoi më shumë kohë për axhenda joparlamentare sesa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të riorientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë strategjik, SHBA-në. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne shqiptarët i kemi sytë nga ju. Përveç rolit të ligjbërësve keni rolin e rëndësishëm të modeleve në shoqëri”.
Ndër të tjera Begaj tha se Kuvendi ka nevojë për opozitën dhe zërin e saj në përballjen me ide dhe argumente. Sipas tij, interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për zhvillimin e vendit.
“Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentat e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Bashkëpunimi vullnetmirë midis forcave politike ka fuqinë të japë zgjidhje dhe të çliroje energji pozitive. Në Kuvend duhet kultivuar demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen. Demokracia është një proces që jetësohet nga përkushtimi për konsolidimin e saj. Pa diskutimin e vazhdueshëm midis ofertave politike dhe dakordësinë e palëve që ato ti shërbejnë të mirës së qytetarëve dhe prosperitetit të vendit, demokracia është e cënuar. Nuk mund të ketë liri, përparim apo drejtësi sociale pa demokracinë në themel të ndërveprimit tonë. Klasa politike ka detyrën që të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve demokratike. Interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo- ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE”.
Ndërkohë, në seancë ishin pranishëm edhe ambasadori britanik Alastair King-Smith dhe ai gjerman Karl Bergner.