Britania e Madhe do të dilte pas një jave nga Bashkimi Europian. Por ky vendim u shty edhe ca. Cilat janë opsionet?
Brexit-i i menjëhershëm pas një jave nuk do të ndodhë. Atë arritën ta shmangnin të enjten (21.03.2019) në mbrëmje në Bruksel krerët e qeverive të mbledhura aty në samitin e radhës. Sipas vendimeve paraprake të samitit ka dy mundësi:
– nëse May arrin javën e ardhshme ta miratojë në parlament marrëveshjen e negociuar, atëherë Brexit-i do të shtyhet për datën 22 maj. Kjo do të ishte koha që duhej për ratifikimin e marrëveshjes nga të gjitha vendet e BE-së;
– nëse parlamenti javën e ardhshme sërish e rrëzon marrëveshjen e Brexit-it, atëherë qeveria britanike duhet të thotë deri më 12 prill se si do të vijojë më tej. Nëse Britania e Madhe do të marrë pjesë në zgjedhjet për parlamentin evropian, mund të bëhet një shtyrje tjetër. Nëse jo, atëherë vjen Brexit-i i parregullt. Sipas presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, May e ka pranuar këtë ofertë të dyfishtë.
Pak gjasa
Në Evropë askujt nuk i intereson një Brexit i ashpër (menjëhershëm). Por shanset që parlamenti ta miratojë kontratën, pasi e hodhi poshtë dy herë, janë shumë të vogla. E mundshme është që May, në rast refuzimi për herë të tretë, të japë dorëheqjen. Sesi do të ndodhë më vonë, kjo do të varet nga pasardhësi ose pasardhësja e asj. Një kandidat është Boris Johnson-i, i cili është i gatshëm të bëhet kryeministër në rast se largohet May. E ky është për një Brexit të ashpër, e pa rregulla.
Rrugëdalje nga kriza ofron edhe një referendum i ri. Por May dhe shumë politikanë të tjerë janë të mendimit se populli ka vendosur për të në vitin 2016.
Një variant tjetër është që qeveria britanike ta tërheqë kërkesën për dalje. Dhe kështu Britania e Madhe do të mbetej brenda BE-së. Mbi dymilionë britanikë e kanë kërkuar këtë me një peticion.
Në fund të konsultave në Bruksel, Kancelarja Angela Merkel foli për një “mbrëmje shumë intensive por të suksesshme“. Ajo tha se takimi zgjati me orë të tëra për shkak të “seriozitetit të gjendjes”. “Ishte një diskutim shumë i sinqertë dhe i rëndësishëm dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha Merkel.
Ndërkohë qeveritë e tjera janë përgatitur për më të keqen. Britania e Madhe ka ngritur madje në lagjen qeveritare të Londrës në një bunker të sigurt nga bomba atomike një qendër për ndërhyrje të posaçme të ushtrisë. /Christoph Hasselbach/DW