Situata e vështirë hidrike e ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes të hapë me shpejtësi procedurat për të nisur importet e energjisë.
Top Channel ka mësuar se OSHEE ka çelur ankadin për të blerë mbi 285 mijë mega energji nga importi për të përballuar furnizimin e vendit me energji për periudhën 28 qershor-31 korrik.
Rezerva hidrike në kaskadën e Drinit ka rënë në nivele minimale. Sipas të dhënave zyratre nga Korporata Elektroenergjetike, në fund të prillit niveli i ujit në liqenin e Fierzës ishte 16 metra më i ulët se vjet, ndërkohë që situata është përkeqësuar gjatë muajve në vijim.
Me sasinë e shpallur për të blerë, OSHEE synon të plotësojë 53 për qind të konsumit, ndërkohë që pjesa tjetër prej 47 për qind do të përballohet nga prodhimi vendas.
Importet e detyrueshme të energjisë janë një goditje jo e vogël për bilancin e Operatorit të Shpërndarjes dhe gjithë sistemit energjetik këtë vit.
Llogaritë paraprake tregojnë se me çmimet aktuale të energjisë në bursë, OSHEE do të duhet të shpenzojë rreth 18 milionë euro vetëm për importet e muajit korrik.
Por importet nuk cënojnë vetëm anën financiare të kompanisë, por dhe treguesit e sistemit energjetik. Burime nga OSHEE thonë se për shkak të importeve, kompania do detyrohet të shkurtojë investimet.
Kjo ka pasoja direkte në treguesit e sistemit, pasi vështirëson uljen e humbjeve, të cilat këtë vit sipas gjasave nuk do të reduktohen sipas planit.