Me lajmin për kryeministrin britanik Boris Johnson i cili orët e mbrëmjes së sotme është futur në trajtimin intensiv, pyetja që shtrohet është: Çfarë është trajtimi intensiv, a do të thotë intubim? A është në rrezik për jetën?
I ftuar në emisionin “Opinion” ku u pyet se çfarë është trajtimi intensiv, mjeku pneumolog, Arjan Mezini, shpjegoi duke e lidhur me situatën e kryeministrit Boris Johnson dhe pacientëve me koronavirus, për të cilët dëgjojmë se disa kanë nevojë për intubim e të tjerë në trajtim intensiv.
Mezini: Diferenca është se kur thuhet intubim, do të thotë se mushkëria ka dalë jashtë loje fare dhe vendoset frymëmarrje e drejtuar. Pra vendoset tubimi i oksigjenit rreth 2-3 centimetër poshtë kordave të zërit.
Ndërsa trajtimi intensiv si në rastin e kryeministrit britanik, do të thotë se gjendja e tij është përkeqësuar, por nuk e themi dot shkallën e përkeqësimit. Në trajtim intensive do të thotë se bëhet trajtimi me oksigjen përmes maskave nazale, apo asistencës me ventilim. Trajtimi intensiv është shkalla para se të intubohesh. Pra pacienti ka nevojë për oksigjen të drejtuar. Kërkohet trajtim më invaviz.
Në Shqipëri, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive.