Prokuroria e Posaçme kërkon pushim të çështjes ndaj ish-drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Argumenti i SPAK për pushimin e çështjes është fakti që nuk ka vepër penale.
Padia ishte dorëzuar nga presidenti Ilir Meta. Ai e akuzonte për disa shkelje gjatë procesit të verifikimit për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese.
Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani ka qenë një prej personave më të sulmuar prej presidentit gjatë viteve të fundit.
Meta e akuzonte Dvoranin se kishte dërguar njëkohësisht dy lista për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit dhe Presidencës, sipas tij në kundërshtim me ligjin.
Presidenti konsideron si kriminale dhe të rrezikshme për rendin kushtetues dërgimin e vendimeve për botim në Fletoren Zyrtare nga ana e Dvoranit, “me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016”.