Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh nga Korça se kryeministri Edi Rama “ka zgjedhur t’i tradhëtojë interesat e shqiptarëve, ka zgjedhur të tradhëtojë Shqipërinë, por të tradhëtojë edhe Kosovën”.
“Pasi dështoi në tentativën e tij të zezë për copëtimin e Kosovës, për llogari të ëndrrës së Serbisë së Madhe, ai po bën çmos të hakmerret ndaj atij që iu bë barrikadë e pakalueshme, fortesë e pamarrshme, digë e padepërtueshme e ujrave që do përmbytnin ardhmërinë e shtetit të Kosovës, ndaj Komandantit të UÇK dhe Kryeministrit të Kosovës, heroit të gjallë të Kombit shqiptar, zotit Ramush Hajradinaj. Padia e tij groteske, armiqësore nuk ka për qëllim vetëm Ramushin si individ, por përçarjen e unitetit kombëtar”, tha kryemadhi.
“Me këtë padi të zezë, Edi Rama do të njollosë jo Ramushin, por luftën për çlirimin e Kosovës, gjakun e të rënëve dhe viktimave të pastrimit etnik serb”, shtoi Kryemadhi.