Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Ministrja e Financave kishte prezantuar programin për rritjen e pagës mesatare në 900 euro, brenda 2 viteve të ardhshme, program që pritet të kalojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, ditën e premte.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Balluku tha se qeveria po studion edhe çështjen e rritjes së pensioneve.
Pyetje: Ju keni vendosur që tashmë brenda 2 vitesh të rrisni pagën mesatare në 900 euro. Por a do ta shoqëroni rritjen e pagës mesatare edhe me rritjen e pensioneve?
Belinda Balluku: Sot kemi pasur një prezantim nga Ministri i Financave përsa i përket të gjithë programit për rritjen e pagave, që do të kalojë në mbledhjen e qeverisë, që do të kemi një mbledhje plus këtë javë ditën e premte, pikërisht për çështjen e pagave. Siç e ka thënë dhe kryeministri, patjetër siç ne bëjmë indeksim të vazhdueshëm të pensioneve, është duke u studiuar edhe çështja për të rritur pensionet. Por siç do rriten dhe pagat, me një fazim 2 vjeçar, ashtu do të duhet të ndodhë edhe për pensionet. Megjithatë, ditën e premte, Ministri i Financave do të ketë mundësinë që para jush ashtu si unë sot, të bëjë një pasqyrë të qartë të gjithë programit për rritjen pagave në administratën publike, që me thënë të drejtën është pritur me shumë kënaqësi nga të gjithë punonjësit dhe vartësit tanë.