Ekonomi Eksportet bujqësore 16% më shumë, kontribut në rritjen ekonomike

Eksportet bujqësore 16% më shumë, kontribut në rritjen ekonomike

Rritja e eksporteve bujqësore dha një kontribut të shtuar në rritjen e ekonomisë shqiptare me 5% vitin e kaluar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë për një ecuri pozitive të eksporteve produkteve bujqësore që u rritën me rreth 16% në sasi.

Rritja e prodhimit dhe eksporteve bujqësore është nxitur nga investimet në pikat e grumbullimit në magazina frigoriferike dhe në zinxhirët e eksportit.

Bujqësia është sektori më madh në ekonomi që kontribuon me rreth 20% të PBB-së së vendit ndaj dhe qeveria po intensifikon mbështetjen përmes Skemës Kombëtare me subvencione dhe adresimin e programit IPARD me fondet e BE-së dhe të qeverisë, që financon me grante fermerët dhe agropërpunuesit.

Studimet kanë treguar se financimi i bujqësisë ka ndikim më shpejt në ekonomi në raport me investimet e tjera kapitale. Ndërkohë që investimet në rrugë zgjasin me dekada dhe kthyeshmëria e investimit zgjat me vite, investimet në bujqësi përkthehen në prodhim brenda vitit.

Në këtë kontekst, buxheti adresuar Bujqësisë ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Buxheti 2023 është më i larti ndonjëherë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ai është ndërtuar për rezistencën ndaj inflacionit të luftës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve bujqësore.

Financimi për bujqësinë adreson mbështetje për rritjen e konkurrueshmërisë, vijueshmërinë në rritje të sistemeve prodhuese dhe rritjes së eksporteve në përputhje me objektivin e qeverisë për 1 miliard $ eksporte agroushqimore në 2030.