Shqipëria ka blerë pajisje mjekësore nga Turqia. Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të mërkurë se me shtimin e tyre është rritur stoku i pajisjeve mjekësore që mbështet akoma më shumë mjekët dhe infermierët.
Gjatë një mbledhje online të zhvilluar mes ministrave dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit theksoi se avantazhi i Shqipërisë në këtë rast është qeveria turke që i hapi rrugë eksportit të tyre.
“Janë materiale të blera nga qeveria jonë, janë pjesë e buxhetit të luftës, por avantazhi i jashtëzakonshëm është që qeveria turke me urdhër të Presidentit Erdogan hapi kanalin e eksportit. Kemi pasur edhe anulime si rezultat i vendeve që kanë mbyllur kufijtë për të eksportuar këto lloje materialesh. Kjo e bën të domosdoshme që ne të garantojmë rezerva. Këto që erdhën janë një rezervë e konsiderueshme”, tha Rama.
Ndërkohë ndër të tjera, Manastirliu sqaroi se testet për koronavirus nuk bëhen sipas dëshirës, por vetëm ndaj atyre që dyshohen se janë të prekur.
Ajo u shpreh se fokusi i testimeve është që të ndërpritet zinxhiri i transmetimit të virusit.
“Numri i testeve nuk është në dëshirën e askujt, të gjitha testet që realizohen, realizohen në saj të një përkufizimi që është rekomandim i OBSH dhe rekomandim i Komitetit teknik. Ne dyshojmë ata që dyshojmë se janë të prekur me koronavirus dhe testojmë me fokus ndërprerjen e transmetimit të zinxhirit të COVID-19”, tha Manastirliu.